Ylli portugez i Manchester United, Cristiano Ronaldo është akuzuar për sjellje ‘të papërshtatshme dhe/ose të dhunshme’ gjatë një incidenti ku ai duket se godet për të rrëzuar një telefon nga dora e tifozit në stadium.
Incidenti ka ndodhur pas disfatës së skuadrës të tij 1-0 në fushën e Everton prillin që shkoi në kampionatin anglez.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë futbollistin 37 vjeçar që duket se godet e përplas përtokë celularin e një tifozi të ri, teksa po dilte nga fusha për në dhomat e zhveshjes.
Ronaldo kishte marrë një paralajmërim nga policia për incidentin dhe më vonë kishte kërkuar ndjesë për gjestin ndaj tifozit 14- vjeçar Jacob Harding në llogarinë e këtij të fundit në rrjetet sociale, ku pranonte se ishte përfshirë nga emocionet e rezultatit negativ të ndeshjes.
Ne episodin ne fjale. tifozet e Everton dukej se po ofendonin me vulgaritete lojtaret e Manchester qe dilnin nga fusha.
Në deklaratën e sotme të federatës angleze thuhej: ‘Cristiano Ronaldo është akuzuar me shkelje të rregullit E3 për një incident në ndeshjen e Premier League, Manchester United kundër Everton pak para mbylljes së saj”.
Ndërsa skuadra e tij deklaronte: ‘”Vërejtëm njoftimin e federatës në lidhje me Cristiano Ronaldo. Ne do të mbështesim futbollistin dhe do të reagojmë ndaj akuzave”.
Nëna e adoleshentit në fjalë Sarah Kelly, kishte thënë pas incidentit se i biri kishte vuajtur gërvishtje nga ashpërsia me të cilën Ronaldo i goditi dorën dhe telefonin që u përplas përtokë.
Ajo shtonte: “Im bir po filmonte lojtarët që dilnin nga fusha, por teksa kalonte Ronaldo , me një sjellje të tmerrshme ai e goditi duke i përplasur celularin nga dora e tij”.
Ronaldo është aktualisht duke luajtur për skuadrën e tij kombëtare Portugalia në Kupën e Kombeve, dhe të shtunën përballet me Republikën Çeke, para ndeshjes së të martës kundër Spanjës.
Top Channel