Projekti i 100 fshatrave turistikë, një propagandë e mbetur në letër për shumë fshatra

23/09/2022 20:45

Premtimi i qeverisë në fillimin e mandatit të dytë, për t’i shndërruar këto 100 fshatra jo vetëm në destinacione të rëndësishme turistike, por edhe në përthithëse të fondeve për infrastrukturën dhe zhvillimit duket se i la në harresë shumë fshatra.

“Fiks Fare” udhëtoi në 3 fshatra në bashkitë Lushnjë dhe Divjakë për të parë nga afër se çfarë ka ndryshuar në këto zona. Por  u konstatua se këto 3 fshatra ishin vetëm në projektin e madh të qeverisë, në VKM e projektit të 100 fshatrave dhe jo në listën e fshatrave ku u hodhën investimet.  Pra në këto fshatra nuk është hedhur kokërr leku dhe projekti mbeti vetëm në letër.

Në kërkesën që Fiks Fare i drejtoi FSHZH,  në përgjigje thuhet se në total janë hedhur rreth 32.8 miliard lekë në 76 fshatra dhe zonat përreth tyre, por në listat e FSHZH nuk janë përfshirë Ardenica, Krutja dhe Goriçaj.

Në Ardenicë banorët pohojnë se nuk është bërë asnjë investim. I vetmi ka qenë para zgjedhjeve ku është asfaltuar rruga dhe vendosur një tabelë që sinjalizon se je në Ardenicë dhe se 2200 metra më tutje ndodhet Manastiri, informacion tjetër s’ka.

Mansatiri i Ardenicës ndodhet afër fshatit Ardenicë dhe Kolonjë të Lushnjës, 10 km larg rrugës kombëtare që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës. Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282.  Plus në  kishën e këtij manastirit, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti me Andronika Arianitni. Pra turistët kanë çfarë shohin dhe mësojnë.

Mbas nuk mbetet as fshati Krutje edhe pse në listën fillestare të projektit të 100 fshatrave është i pari. Por në listën e FSHZH nuk ekziston fare. Krutja përmendet si fshati i parë ku në 11 nëntor 1946 u ngrit kooperativa e parë bujqësore dhe kishte ekipin e volejbollit të femrave në kategorinë e parë, të cilat dolën dhe një here kampione e vendit. Sot ky fshat as tabelë sinjalizuese se ku ndodhesh nuk ka.

Fshati tjetër i përfshirë në projekt por që nuk është bërë asnjë investim është edhe Goriçaj.

Ky fshat është në mes të rrugës nga “Pushimi i Shoferit” dhe Divjakës.

Ka një liqen brenda fshatit që banorët e quajnë Delli, por asnjë investim nuk është bërë për turizmin. Banorët pohojnë se nuk është bërë asnjë investim dhe asnjë turist nuk ka shkelur në fshatin e tyre edhe pse mburren me bukuritë e liqenit.

Pavarësisht se janë shpenzuar jo pak, por 32.8 miliard lekë nga shteti, as një tabelë nuk janë shpenzuar për tre fshatrat Ardenicë, Krutje dhe Goriçaj sa për t’i bërë banorët krenar që janë të përzgjedhur në  projektin e shumë trumbetuar 100 fshatrat turistik.

 

 

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA