Foto ilustruese

Një aksident ka ndodhur paraditen e së enjtes në aksin rrugor Elbasan-Peqin duke i marrë jetën një 72-vjeçari.

I moshuari i cili drejtonte një motoçikletë, ka dalë nga kthesa e fshatit Bishqem duke hyrë në aksin kombëtar Elbasan Peqin e për pasojë i ka prerë rrugën një fugoni mallrash.

Me gjithë përpjekjet për të evituar motorin, përplasja ka qenë fatale ndërsa 72-vjeçari gjeti vdekjen në vend.

Aksidenti u shënua vetëm disa orë pasi në të njëjtin aks përplasja e dy mjeteve për shkak të një parakalimi të gabuar i mori jetën një 49-vjeçari.

Aksi rrugor Elbasan Peqin shpesh herë është bërë burim i aksidenteve me pasoja fatale. Përpos shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve, edhe rruga shfaq problematikat e saj.

Ky segment i rëndësishëm kombëtar kalon i gjithi në zonë të banuar çka do të thotë disa dhjetëra degëzime rrugë fshatrash e presin segmentin në mes. Nga ana tjetër problematikë gjatë natës në zonat e banuara përbën mungesa e ndriçimit, por edhe sinjaliztika paraqitet e dobët.

Top Channel