“Unë nuk po luaj bllofin, perëndimi kërkon të na bëjë shantazh dhe ne nuk do të rrimë duarkryq”, kështu tha presidenti Vladimir Putin në një mesazh televiziv drejtuar kombit, ku shpalli një mobilizim të pjesshëm të forcave ruse, si dhe shpalosi planin për aneksimin e Ukrainës përmes referendumeve.
Putin tha se nëse Moska sheh se ekziston një kërcënim për integritetin territorial të Rusisë, ata nuk do të kursehen, duke folur për një kërcënim bërthamor
“Integriteti territorial i atdheut tonë, pavarësia dhe liria jonë do të sigurohet me të gjitha mjetet që kemi. Dua ta përsëris, ata që përpiqen të na shantazhojnë me armë bërthamore duhet të dinë se era mund të kthehet edhe kundër tyre. Ne do të mbrohemi me çdo mjet, do të kemi një mobilizim të pjesshëm, duke nisur nga sot, pra të gjithë ata që janë aktualisht në formacionet rezervë të ushtrisë do t’i nënshtrohen rekrutimit dhe mbi të gjitha ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura e kanë një specialitet të caktuar ushtarak dhe përvojë përkatëse”, tha Putin.
Rusia besohet se ka një fuqi rezervë prej dy milionë vetësh, por vetëm një pjesë e tyre marrin rregullisht trajnime. dekreti i pjesshëm i mobilizimit mund të bëjë që rreth 300,000 ish njësi aktive të thirren në veprim kundër Ukrainës.
Fjalimi i Putinit drejtuar kombit vjen një ditë pasi rajonet e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore njoftuan planet për të mbajtur votime për t’u bërë pjesë integrale e Rusisë. Përpjekjet e mbështetura nga Kremlini për të aneksuar katër rajone mund të krijojë një skenë të re ku Moska të përshkallëzojë luftën pas sukseseve të Ukrainës kohët e fundit.
Referendumet, do të fillojnë të premten në rajonet e Luhansk, Kherson dhe dy të tjera pjesërisht të kontrolluara nga Rusia, Zaporizhzhia dhe Donetsk.
Fjalimi i Putin u vonua për 13 orë gjatë natës, gjë që ndezi thashethemet për një grusht shteti brenda Kremlinit. Por udhëheqësi rus më në fund u shfaq në orët e para të së mërkurës – për të dhënë mesazhin e tij.
Fjalimi ishte tipikisht i Putinit. Në të, ai u përpoq të përshkruante Perëndimin dhe NATO-n si agresore, duke thënë se ata e kishin shtyrë Ukrainën në një luftë me Rusinë, pavarësisht se si vetë urdhëroi një pushtim të vendit vetëm shtatë muaj më parë.
Rusia, argumentoi ai, nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të niste një ‘luftë parandaluese’ për të ‘mbrojtur’ popullin e Ukrainës – pavarësisht provave të shumta të masakrave ruse të civilëve.
Synimi i Moskës, këmbënguli ai, mbetet çlirimi i plotë i rajonit të Donbasit dhe popullit të tij, të cilët ai tha se ishin bërë ‘peng të regjimit të Kievit’.
Top Channel