“Spiunët” jashtë politikës, “Ligjet” miratojnë në parim ndryshmet në projektligjin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

21/09/2022 14:30

Komisioni I Ligjeve, ka miratuar në parim ditën e sotme projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, pas diskutimeve të shumta lidhur me këtë çështje.

Ndryshimet me të rëndësishme në tentativën për të pastruar politikën shqiptare nga spiunët, janë në ligjin e dekriminalizimit. Në një prej neneve të ligjit ekzistues shtohet një paragraf ku parashikohet se “bashkëpunëtorëve ose të favorizuarve të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi”.

Ndërsa ndryshimi i ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në Sigurimin e Shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie.
Thelbi ndryshimeve të propozuara është hapje totale e dosjeve përfshi edhe ata të cilët njëherë kanë kaluar filtrat e komisioneve Bezhani dhe Mezini.

Ndërsa prezantoi nismën e propozuar nga një grup i deputetëve demokratë, Enkelejd Alibeaj sqaroi se projektligji nuk synon aspak të dëmtojë kuadrin ligjor ekzistues, por ka për qëllim përmirësimin dhe zhvillimin e tij të mëtejshëm.

“E para, sjell shtimin e paragrafit të shtatë të nenit 13 të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, duke sanksionuar se dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, konsiderohen të klasifikuar ex lege, pra për shkak të ligjit. Si të tilla, ato nuk kanë nevojë që t’i nënshtrohen shqyrtimit nga ana e një autoriteti, komisioni apo strukture tjetër shtetërore për të kryer deklasifikimin e tyre.

Megjithatë, me qëllim ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, dispozita përjashton nga zbatimi i saj ato dokumente që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare. Po ashtu, dispozita ka treguar kujdes të vecantë për të përjashtuar nga zbatimi i saj edhe ato dokumente që lidhen me sigurinë kombëtare të vendit. Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare, do të trajtohen në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues.

Ndërsa, neni i dytë parashikon hyrjen në fuqi, në përputhje me përcaktimin e bërë në nenin 84, pika 3 të Kushtetutës së Shqipërisë.”– theksoi Alibeaj.

Debati 30-vjeçar për dosjet e ish-Sigurimit u riaktivizua javët e fundit të korrikut pasi Autoriteti Dosjeve i dërgoi një shkresë kuvendit ku thuhej se një politikan i rëndësishëm me inicialet IM ka bashkëpunuar me ish sigurimin e shtetit. Aludimet dhe debatet u përqendruan tek ish-presidenti Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish sigurimin.

Top Channel