Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e të pandehurve dhe ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Nertina Kosova (anëtare), sot më datë 21.09.2022 shpalli vendimin lidhur me çështjen nr. 37, datë 30.03.2022 regjistrimi, me objekt “ankim ndaj vendimit nr. 93, datë 30.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, në ngarkim të të pandehurve E.N., F.Ç., A.B., A.O., A.M., K.H., K.B., F.D., M.B., të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të K.Penal, dhe vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 93, datë 30.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me ndryshimin vetëm sa i përket kohës së provës në këtë mënyrë: Të pandehurit A.B., A.O., G.M., vihen në provë për një periudhë kohe të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur pavuajtur të dënimit me burgim”, sipas njoftimit.
Nëntë të dënuarit për tenderin e uniformave të policies apeluan në prill vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
Ditën e parafundit të vitit 2021 gjykata kundër korrupsionit i dënoi me 1 vit burg dhe 5 vjet heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike.
Për këtë çështje u dënua drejtoresha e Ministrisë së Brendshme, Edlira Naqellari dhe shtetasit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Anisa Bogdani, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Kreshnik Bejka, Gëzim Mingaj dhe Aurora Mulla.
Të pandehurit për këtë çështje u gjykuan me gjykim të shkurtuar, duke përfituar edhe ulje me 1/3 të dënimit. Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme u arrestuan vitin e kaluar pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë në vitin 2020, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.
Sipas SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.
Hetimet nisën pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga deputetët e opozitës parlamentare rreth një viti më parë, duke ngritur pretendime se punonjësit e Agjencisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme krijuan kushtet për të paracaktuar fituesin e tenderit me vlerë 25 milionë euro.
Top Channel