I pakënaqur për shpenzimet e ceremonisë mortore të ish-kryeministrit japonez, qytetari tenton të djegë veten në mes të protestës

21/09/2022 13:47

Një japonez raportohet se ka djegur veten për të protestuar në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit Shinzo Abe, i cili u vra në korrik.

Qindra personalitete nga Japonia dhe e gjithë bota pritet të marrin pjesë në funeralin më 27 shtator.

Të mërkurën, dëshmitarët thirrën policinë, pasi panë një burrë në flakë pranë zyrës së kryeministrit në Tokio.

Zyrtarët shuan zjarrin dhe e dërguan autorin në spital të vetëdijshëm, por ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Deri më tani mediat japoneze raportojnë se burri besohet të jetë rreth të 70-tave.

Policia ende nuk ka konfirmuar detaje në lidhje me njeriun që u përpoq të digjte veten, por mediat lokale raportuan se ai kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj funeralit tek një oficer aty pranë përpara se ta bënte këtë.

Qeveria ende nuk ka komentuar për protestën, por kundërshtimi publik ndaj mbajtjes së funeralit shtetëror është intensifikuar muajt e fundit, me sondazhet që tregojnë se shumica e votuesve nuk janë të kënaqur me shpenzimet.

Sipas BBC, sondazhet tregojnë se shumica e japonezëve janë kundër ngjarjes, pasi shpenzimet për ceremoninë mortore do të meren nga taksapaguesit.

Abe u qëllua për vdekje më 8 korrik, në moshën 67-vjeçare, në një tubim të fushatës për partinë e tij politike.

Vrasja e kryeministrit më jetëgjatë të Japonisë u dënua ndërkombëtarisht dhe tronditi Japoninë, një vend me pak përvojë të dhunës politike e krimit me armë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA