Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck tha se Gjermania mund ta kalojë dimrin “rehat” pavarësisht mungesës së gazit rus.Gjermania është në rrugën e duhur për të arritur kapacitetin e revervave prej 95% deri në nëntor.
Depozitat e gazit në Gjermani janë mbushur më shumë se 90%, sipas të dhënave të publikuara nga Aggregated Gas Storage Inventory (Agsi), një platformë evropiane e të dhënave të energjisë.
Qeveria gjermane ka planifikuar që deri në nëntor të mbushen 95% e kapacitetit të depozitave. Magazinimi shihet me rëndësi thelbësore për Gjermaninë për të kaluar dimrin pa importe të gazit rus.
“Nëse gjithçka shkon mirë, kemi kursime në Gjermani të larta dhe po të kemi pak fat me motin, do të kemi shans ta kalojmë dimrin rehat”, tha të hënën Ministri i Ekonomisë Robert Habeck.
“Megjithatë, kjo do të thotë se në fund të dimrit do të jenë sërish bosh depot, në këtë rast vërtet bosh, sepse do të përdorim gazin”, shtoi ai.
Gjermania po kërkon burime alternative gazi
Rusia furnizonte rreth 40% të gazit të Bashkimit Evropian përpara pushtimit të Ukrainës në shkurt.
Në fillim të shtatorit, gjiganti rus energjetik Gazprom tha se dërgesat e gazit në Evropën Perëndimore nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1 u ndalën plotësisht, duke përmendur problemet e pajisjeve. Qeveria gjermane e akuzoi Moskën për ‘kthimin në armë’ të furnizimeve të gazit në përgjigje të mbështetjes së Berlinit për Ukrainën dhe sanksioneve të BE-së.
Moska nuk ka dhënë asnjë afat se kur do të vihet sërish në punë gazsjellësi.
Gjermania merr gaz natyror edhe përmes gazsjellësve nga Norvegjia, Holanda dhe Belgjika. Gjermania planifikon të nënshkruajë kontrata për gaz të lëngshëm LNG në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë fundjavës.
Rregullatori i energjisë i Francës, CRE, tha se eksportet e gazit natyror në Gjermani mund të fillojnë në tetor. Ndërtimi i njërit prej terminaleve të reja të gazit natyror të lëngshëm (LNG) të Gjermanisë do të fillojë gjithashtu këtë javë./DW
Top Channel