Putin, referendum në Donbas: Duan vetë të bashkohen

20/09/2022 18:34

Liderët e instaluar nga Rusia në katër rajone të pushtuara ukrainase paraqitën planet për referendum për bashkimin me Moskën, një lëvizje kjo që sipas aleatëve të Vladimir Putinit do ta ndryshojë përgjithmonë peizazhin gjeopolitik atje.

Zyrtarët rusë e portretizuan këtë si hap që i jep Moskës të drejtën e pretendimin të një territori, të cilin ajo vetë duhet ta mbrojë me çdo kusht. Ukraina e sheh thjesht si një manovër të rusëve, të përballur me humbje poshtëruese në fushën e betejës.

Drejtuesit e rajoneve në fjalë thanë se “republikat e vetëshpallura popullore” të Luhanskut dhe Donetskut në Ukrainën lindore duan të votojnë sërish këtë javë për bashkimin me Federatën Ruse, sipas një procedure të diskutueshme.

Votimet, të cilat nuk njihen as nga Ukraina dhe as nga komuniteti ndërkombëtar, do të mbahen nga 23 deri më 27 shtator dhe shihen si një reagim ndaj kundërofensivës aktuale të Ukrainës në lindje të vendit.

Më herët, administratorët ushtarakë të emëruar nga Rusia në Luhansk kishin njoftuar aprovimin e një ligji për mbajtjen e një “referendumi” të tillë. Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ish-presidenti Dmitry Medvedev, u shpreh se aneksimi i Donbasit nga Rusia mund të forcojë ofensivën ushtarake të saj në Ukrainë.

“Ndërhyrja në territorin rus përbën një krim”, shkroi Medvedev në rrjetet online. Për të mbrojtur veten, Moska mund të “përdorë të gjitha mjetet e vetëmbrojtjes”, ishte pretendimi i tij.

Referendume do të mbahen edhe në rajonin e Kherson-it dhe atë të  Zaporizhias, por nuk dihet ndërkohë nëse mund të organizohen votime brenda vetë qytetit që aktualisht, mbetet nën kontrollin e Kievit, që është zotuar të reagojë me forcë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA