NATO-ja po përgatitet të shtojë numrin e trupave në Kosovë nëse rriten tensionet në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serbë në veri, teksa afron fundi i fatit të vendosur nga Prishtina zyrtare për ndryshimin e targave të makinave.
Zëvendës komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR, Luca Piperni, e bëri të qartë se janë të vëmendshëm dhe të gatshëm të ndërhyjnë në cdo moment.
Luca Piperni, zv/komandat KFOR: Mund të përdorim trupa edhe nga forcat rezervë të cilat ne mund t’i thërrasim brenda një afati të shkurtër. Nëse gjendja përkeqësohet ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë e të qëndrojmë në mes të protestuesve dhe organizatave të sigurisë. Ne kemi forca të mjaftueshme për t’u përballur me situatën. Me atë prani trupash mund t’i japim fund çdo përshkallëzimi.
Trazirat në mesin e serbëve të Kosovës lidhur me kërkesën e qeverisë qendrore në Prishtinë që ata të përdorin targat e makinave të lëshuara nga shteti i Kosovës, kanë ngjallur frikën për konflikt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më shumë se dy dekada pasi NATO-ja bombardoi Serbinë për t’i dhënë fund shtypjes së shumicës shqiptare të Kosovës.
Përpjekjet e mëparshme për të zbatuar vendimin për përdorimin e targave të Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, çuan në përleshje midis policisë dhe serbëve lokalë, të cilët bllokuan rrugët kryesore. Bllokadat u larguan vetëm kur forcat paqeruajtëse të NATO-s ndërhynë dhe Kosova ra dakord të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit. Edhe pse e pranoi se situata është e qetë por e brishtë tani për tani, Piperni shtoi se NATO-ja nuk mund të përjashtojë mundësinë për tensione apo dhunë të sërishme në veri me afrimin e afatit të 31 tetorit.
Top Channel