Kryetarja e Gjykatës Speciale nuk do të shkojë në Gjilan, PSD anulon protestën e thirrur kundër saj

20/09/2022 21:49

Partia Socialdemokrate në Kosovë ka anuluar protestën e nesërme, e cila ishte planifikuar të mbahej kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë Ekaterina Trendafilova në Gjilan.

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj ka thënë për KosovaPress se anulimi i protestës vjen pas njoftimit zyrtar se Trendafilova ka anuluar konferencën e nesërme. Ai ka thënë se anulimi i vizitës tregon se kjo gjykatë nuk e ka për qëllim informimin e drejtë të opinionit dhe se vepron në bazë të presioneve politike.

“Ky anulim, i dyti me radhë, pas paralajmërimit të protestave të njëpasnjëshme, vjen si rezultat që kjo gjykatë nuk e ka për qëllim as informimin e opinionit publik, por ka për qëllim një marrëdhënie me publikun që të shesë të vërtetën që ajo dëshiron ta shesë në opinionin publik. Janë dy faktorë që çuan në anulimin e vizitës. E para ka të bëjë nga informatat në terren, e kanë kuptuar se pjesëmarrja nesër do të ishte shumë masive dhe gjykata nuk po e toleron që pakënaqësinë ndaj saj të shihet me pamje e fotografi. E dyta ka të bëjë që nuk po dëshiron assesi që në mediat ndërkombëtare të paraqitet ndonjë pakënaqësi qytetare që një numër i madh protestuesish për shkak se po e manipulon opinionin publik thuajse kjo gjykatë ka mbështetje të madhe në Kosovë. Ky anulim tregon se kemi të bëjmë me një gjykatë që vepron në bazë të ligjeve, por në bazë të presioneve politike ose publike”, ka thënë Molliqaj.

Ndryshe, kreu i Dhomave të Specializuara në Hagë, Trendafilova ishte paraparë nesër të mbajë një konferencë për media, e ku brenda do të ishin vetëm pjesëtarë të shoqërisë civile dhe media të akredituara, por pa kamera dhe pajisje të tjera për xhirim.

Por, në një njoftim zyrtar të Dhomave të Specializuara në Hagë sot është bërë e ditur se vizita do të anulohet për shkak të protestave të paralajmëruara nga PSD-ja, ndërkohë që edhe veteranët e UÇK-së kanë deklaruar se do t’i bashkohen protestës.

Aktivitetet e kryetares së Dhomave të Specializuara do të mbahen nesër përmes internetit, duke filluar nga ora 10:00.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që anulohet një konferencë e tillë, për arsye të njëjta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA