Konflikti për kërkimet energjitike në Mesdhe rindez tensionet mes Izraelit e Libanit (fotot)

20/09/2022 17:59

Lideri i militantëve libanëezë Hezbollah quajti planin e Izraelit për të nxjerrë gaz në kufirin e kontestuar detar, një “linjë e kuqe”.

Karish raportohet se është një fushë relativisht e vogël gazmbajtëse në lindje të detit Mesdhe, por vendndodhja e saj mes Izraelit e Libanit mund të sjellë një rinisje të konflikteve mes dy vendeve.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun tha dje se negocjatat e ndërmjetësuara nga SHBA për eksplorimin e Karish kanë arritur në “fazat finale”, dhe Izraeli pritet të nisë kësaj jave punën paraprake të kërkimit, por lideri i grupit Hezbollah, Hassan Nasrallah e quajti qëndrimin izraelit një “linjë e kuqe”.

Ministri izraelit i mbrojtjes Benny Gantz tha se nëse Hezbollah dëmton impjantet detare kërkimore në Karish, “çmimi do të paguhet nga Libani”.

Dy vendet fqinje janë në konflikt që prej pushtimit izraelit të vendit në 1982, si dhe gjatë luftës së Libanit në 2006.

Analisti  Laury Haytayan, drejtor i institutit të burimeve MENA tha për rrjetin Al Jaseera se konflikti energjitik ka më shumë natyrë politike, dhe se Libani e sheh si një burim ekonomik energjie, kurse për Izraelin është një masë parandaluese sigurie.

“Ky është një element i mundshëm përshkallëzimi me Hezbollah, por nëse edhe Libani vendos mjetet e tij (të kompanive të mëdha energjitike) të kërkimit, Hezbollah nuk do të kërcënonte platformat e Izraelit, pasi do të ishin në kushte të barabarta”.

Të dyja palët kanë thënë se fushat energjitike të Mesdheut duhet të ndahen, por çështja mbetet se ku duhet të jetë linja e ndarjes.

Në 2020, Libani tentoi të jepte një interpretim të kufirit ku ai merrte pjesën veriore të Karish, por kjo u refuzua nga Izraelit dhe negocjatat kanë mbetur pezull.

Energean, kompania e liçencuar nga Izraeli për nxjerrjen e gazit nga Karish, ka thënë se do të nisë punën, pasi Izraeli kërkon të shtojë prodhimin e energjisë pas marrëveshjes së shitjes se gazit te Bashkimi Evropian, i cili kërkon alternativa ndaj gazit rus.

Edhe qeveria libaneze ka dhënë premtimet te kompanitë për pjesën e saj të gazit në Mesdhe, që e sheh si një dritë në fund të tunelit të krizës ekonomike në vend.

Premtimi është përdorur nga politika dhe për të negocjuar në akordin e huasë së kërkuar nga FMN.

FOTO GALERI
1/3
Nje nga version e kufirit detar

Top Channel