Betis barazon rekordin 88-vjeçar, historia tregon se në fund…fiton titullin kampion

19/09/2022 16:51

La Liga nuk është vetëm Real Madrid, Barcelona apo Atletico Madrid dhe këtë e vërteton Real Betis.

Skuadra e Pellegrinit triumfoi 2-1 ndaj Girona-s në këtë fundjavë duke prekur kuotën e 15 pikëve pas 6 javësh kampionat dhe duke shënuar një rekord për klubin. Skuadra e Betis, pas 88 vitesh dhe për herë të dytë në histori arrin që të marrë 5 fitore në 6 javë dhe të grumbullojë kaq pikë, duke rritur ndjeshëm kreditet se kjo skuadër mund të jetë surpriza më e bukur e këtij sezoni në Spanjë.

Për herë të parë, Betis kishte regjistruar një nisje të tillë në sezonin e largët, 1934-1935 kur skuadra drejtohej nga irlandezi Patrick O’Connell dhe në fund ia doli të triumfonte duke fituar titullin kampion për herë të parë dhe të vetëm.

Në shtëpi, “nxënësit” e Pellegrini-t janë bërë të fortë. Katër ndeshje në “Benito Villamarín”, Betis numëron katër fitore, si askush tjetër, 7 gola të shënuar dhe vetëm 1 i pësuar.

Përpos ecurisë perfekte në kampionat, këtyre shifrave spektakolare u bashkohen edhe dy fitoret e tjera në UEFA Europa League, duke kryesuar grupin C me gjashtë pikë.

Deri më tani, pas 6 javësh kampionat, “Verdes” janë mposhtur vetëm nga Real Madrid në transfertë. Pellegrini disponon një mbrojtja solide, me vetëm katër gola të pësuar në gjashtë ndeshjet e para, me tre ndeshje pa pësuar asnjë gol, por më e rëndësishmja është efikasiteti i qendërsulmuesit të tyre, njeriu lider i skuadrës, Borja Iglesias, i cili së fundmi ka marrë ftesën edhe nga përfaqësuesja spanjolle, pasi çdo top që prek e kthen në gol, me 6 gola në 6 javë.

Tani, pas pauzës së kampionatit, Real Betis do të luajë në transfertën e Celta Vigo-s, ndërsa qëndron tre pikë pas Real Madrid dhe një pas Barcelonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA