Reshjet e një natë më parë i nxorën në rrugë banorët e Lagjes Shote Galica të Gjakovës.

Nexhat Zymi në mëngjes u zgjua nga familjarët që tash i ka evakuuar pasi u alarmua për përmbytjet në shtëpinë e tij.

Shtëpia e tij tashmë është e pabanueshme dhe Zymi kërkon ndihmë nga autoritetet. Të njëjtin fat e pati edhe Armanda Selimi e cila nuk mundi të shpëtojë asgjë nga përmbytjet.

Gjendja ishte edhe më e rëndë për shtëpitë në fund të lagjes që ka afërsi edhe më të madhe me lumin Erenik, ku uji kishte arritur në nivel tejet të lartë.

Rrobat, ushqimet dhe të gjitha pajisjet shtëpiake mbetën të mbuluara me baltë për këta banorë.

Derisa mundoheshin të pastronin shtëpitë, banorëve të Lagjes “Shote Galica” në vizitë e me premtime u erdhën kryetari i Komunës Ardian Gjini, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla dhe Ministri për Pushtet Lokal, Elbert Krasniqi.

Komuna për 9 familjet e lagjes do të ndajë një shumë deri në 150 euro.

Dalja nga shtrati e lumit Erenik pas reshjeve të dendura la edhe një grumbull të madh mbeturinash. Reshjet trazuan edhe lumin Krena dhe Drinin në Gjakovë që krijuan përmbytje edhe në fusha e shtëpi.

Reshjet vështirësuan qarkullimin dhe u bën problem edhe për banorët e Rahovecit gjatë së shtunës.

Top Channel