“Ishte si një tsunami”, lumi i Misës në Itali, gati i tharë deri përpara pak ditësh për shtatë orë rresht të enjten merrte ujin e shirave të rrëmbyer.
Nuk vonoi shumë që zona rreth tij të përmbyteshin, me argjinaturat që nuk kanë mundur të përballojnë vërshimin e shfrenuar të ujit, baltës e mbetjeve.
Gjithçka ndodhi shumë shpejt, rrëfen nëna e njërës prej viktimave, 25-vjeçarit Andrea Tisba, që kishte zbritur në garazh të nxirrte makinën përpara se ta merrte uji. Në ndihmë i kishte shkuar dhe i ati, Giuseppe dhe një fqinj i tyre. Asnjëri nga të tre nuk doli më gjallë prej andej. E gjithë kjo ndodhi në vetëm katër minuta, rrëfen Adriana Tisba. “Ishte sikur të qe carë ndonjë digë”, shton ajo.
Zjarrfikësit, mbrojtja civile dhe vullnetarë po punojnë pa u lodhur për t`i ofruar personave të prekur nga përmbytjet në rajonin Marche. Kërkimet vazhdojnë atje për tre persona që ende konsiderohen të zhdukur, mes tyre edhe një 8-vjeçar, Mattia, por shpresat duken të pakta. Më keq paraqitet gjendja në zonën Barbara-Castelleone di Suasa, ku përmbytjet shkaktuan dhjetë vdekje, të gjitha të identifikuara.
Probleme ka pasur edhe në Lombardi, Emilia Romagna dhe Abruzzo, ku ekipet e shpëtimit po ndihmojnë personat e zhvendosur pasi shtëpitë u janë bërë të papranueshme për shkak të ujit dhe baltës. Zona të tëra të Anconës janë pa energji elektrike, ndërsa stuhitë goditën edhe Umbrian fqinjë. Corriere della Sera tha se rreth 400 milimetra shi ranë brenda dy orësh, sasi kjo që regjistrohet normalisht në në një periudhë prej 6 muajsh në këtë zonë.
Top Channel