Shqipëria mund të jetë ndër anëtarët më të vegjël dhe më të rinj të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Megjithatë, vendimi më i fundit i qeverisë së saj për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me qeverinë iraniane pas një sulmi masiv kibernetik ndaj Tiranës këtë verë është me të vërtetë i admirueshëm. Shqipëria ka akuzuar Iranin për një sulm të dytë kibernetik që shënjestroi policinë e saj kombëtare, sulm i zbuluar më 9 shtator.
As mësimet e nxjerra nga veprimet e Iranit dhe as reagimi i guximshëm i Shqipërisë nuk duhet të kalojnë pa u vlerësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti global. Të dyja duhet të kenë peshë në përpjekjet që synojnë ringjalljen e një marrëveshjeje ndërkombëtare që Irani t’i japë fund programit të tij të armëve bërthamore dhe shikimin me përgjegjësi të kërcënimeve të vazhdueshme të regjimit iranian ndaj stabilitetit rajonal dhe global.
Ndër objektivat e tjera të liga të tij, sulmi mizor i Iranit ndaj platformave të qeverisjes elektronike të Shqipërisë në korrik u përpoq të shkatërronte infrastrukturën kritike nga e cila varet populli shqiptar për shërbime publike jetësore. Pse një sulm i tillë ndaj shqiptarëve të pafajshëm? Sepse gjashtë vjet më parë Tirana tregoi dhembshuri humanitare dhe kurajo morale në strehimin e mërgimtarëve iranianë që ishin prej kohësh në shënjestër për t’u zhdukur nga Teherani për shkak të dëshirës së tyre për një Iran demokratik. Regjimi e konsideroi të patolerueshëm, aq sa të ushtronte dhunë, vizionin e grupit për një Iran të ri – një Iran të përkushtuar ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, që jeton në mënyrë paqësore dhe progresive mes familjes së kombeve.
Mbi 100 nga disidentët, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, ishin vrarë gjatë qëndrimit të gjatë në kampin e tyre në Irak në një seri sulmesh nga forca nën kontrollin e Teheranit. Gati 2500 të mbijetuarit po kërkonin me dëshpërim një strehë të sigurt kur Shqipëria hapi krahët për t’i pranuar në paqe. Megjithëse Irani nisi komplote të mëvonshme kundër disidentëve ndërkohë që ata ishin në tokë shqiptare, përpjekjet e tij u penguan nga shërbimet shqiptare të sigurisë. Si rrjedhojë, Teherani iu drejtua sulmeve kibernetike kundër vetë Shqipërisë më 15 korrik.
Kur vendi u godit për herë të parë, sponsorët e sulmit kibernetik ishin të panjohur. Pas kësaj, ekspertë të sigurisë kibernetike të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar punuan me qeverinë shqiptare për të hetuar burimin dhe për të ndihmuar një koleg aleat të NATO-s të rimëkëmbej nga ndërhyrja. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Iranit për sulmin. Ky bashkëpunim ilustron bashkëpunimin aleat gjithnjë e më të nevojshëm për të parandaluar, për t’iu përgjigjur dhe për t’u rikuperuar nga hakimet në infrastrukturën kritike të demokracive.
Pasi u vërtetua pa dyshim përgjegjësia e Iranit, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë përpjekjet e mirë-praktikuara të Iranit për të mohuar dhe shmangur përgjegjësinë. Duke kuptuar se e keqja duhet përballur, Rama ndërmori një veprim vendimtar për të shkëputur marrëdhëniet me qeverinë e mullahëve dhe për të dëbuar diplomatët iranianë nga Shqipëria. Ky veprim i guximshëm nuk mund të ketë qenë një vendim i lehtë për një komb paqedashës. Por ishte një vemndim me rëndësi historike. Përgjigja e tij dërgoi një mesazh të rëndësishëm dhe në kohën e duhur, për regjimin iranian se brutalitetet e tij nuk do të tolerohen. Për më tepër, është një shembull për vendet e tjera në rajon – dhe në mbarë botën – të kërcënuara nga hakimi iranian. Mbi të gjitha, i tregoi komunitetit global vendosmërinë e nevojshme në marrëdhëniet me sundimtarët e Iranit dhe në adresimin e litanisë së tij të shkeljeve ndërkombëtare.
Që nga sulmet kibernetike ndaj Tiranës, si dhe para tyre, regjimi i mullahëve ka vazhduar të tregojë fytyrën e tij të vërtetë në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe rendin global. Ai dërgon drone për të ndihmuar Rusinë të vazhdojë luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës. Ai vazhdon sponsorizimin e organizatave ndërkombëtare terroriste që vrasin dhe gjymtojnë të pafajshëm. Ai sulmon anijet që operojnë në ujërat ndërkombëtare. Dhe, më kërcënuesja nga të gjitha, regjimi vazhdon me përpjekjet për të siguruar kapacitet bërthamor me qëllimin për të kërcënuar dhe zhvatur Lindjen e Mesme dhe botën, ndërkohë që ofron fjalë për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore.
Ndër kërcënimet më të vazhdueshme të botës për paqen dhe stabilitetin global, regjimi e ka kthyer në art shmangien e angazhimeve të tij ndërkombëtare, duke gjeneruar strategjikisht grindje globale për të ushtruar kontroll më të madh të brendshëm mbi qytetarët e tij. Ai i konsideron rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar si pengesa që duhen injoruar. Sipas vlerësimit të Teheranit, të drejtat e njeriut, normat ndërkombëtare dhe moderniteti janë kërcënime që duhen shuar. Udhëheqja iraniane mbetet antagonisti kryesor i demokracisë dhe liberalizimit në të gjithë Lindjen e Mesme, ku një e ardhme më e mirë për miliona njerëz lufton për të dalë në krye. Kjo përfshin refuzimin e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar, duke kundërshtuar dhe minuar në mënyrë aktive procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Realiteti është se sundimtarët e Iranit do të vazhdojnë të veprojnë sipas një objektivi të vetëm – të ruajnë pushtetin dhe kontrollin mbi popullin e Iranit dhe të shtrijnë dominimin e tyre në të gjithë rajonin, pa marrë parasysh koston njerëzore.
Ky model sjelljeje, si dhe sulmet ndaj Shqipërisë, flasin shumë për sinqeritetin e Teheranit për të qenë një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit global, përfshirë dhënien fund programit të tij të armëve bërthamore. Mohimet e kota të regjimit rreth hakimit të korrikut reflektojnë drejtpërdrejt në besueshmërinë e tij të nevojshme për të mbështetur çdo marrëveshje efektive të kontrollit bërthamor. Nga ana e saj, Shqipëria u ka treguar demokracive më të mëdha dhe më të vjetra, përfshirë edhe tonës, llojin e qartësisë morale, guximit dhe vendosmërisë që kërkohet për t’iu kundërvënë sjelljes së jashtëligjshme të Iranit në format e saj të shumta.
Përqasja e komunitetit ndërkombëtar duhet të frymëzohet nga realiteti i ashpër se nëse sjellja e Iranit tolerohet pa dhënë llogari, ajo jo vetëm që do të vazhdojë, por do të bëhet më e guximshme dhe më e rrezikshme për të gjithë ne. Mësime të tilla bota e lirë i injoron duke rrezikuar veten.
Nga James L. Jones
Gjeneral (Ret.) James L. Jones, ish-komandant i Trupave Detare, ish-komandant suprem i aleatëve të Europës dhe ish-këshilltar i presidentit për sigurinë kombëtare, është kryetar ekzekutiv emeritus i Këshillit të Atlantikut. Ai është president dhe themelues i Jones Group International, i cili ofron shërbime këshillimore për sigurinë kibernetike për të mbrojtur infrastrukturën kritike globalisht, duke përfshirë edhe Ballkanin.
Top Channel