Kujtimet e shumëpritura të Princit Harry nuk do të publikohen deri në vitin e ardhshëm për shkak të periudhës së zisë mbretërore pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabet.
Libri mbi Familjen Mbretërore ishte planifikuar të dilte në fundin e vitit 2022, por vdekja e Mbretëreshës Elizabet II thuhet se ka ndryshuar planet.
Një burim i afërt me Dukën dhe Dukeshën e Sussex tha për “The Telegraph” se libri nuk do të dalë më siç ishte planifikuar pasi çifti respekton periudhën e zisë. Një botues tha:
“Libri do të shtyhet pasi Princ Harry dëshiron të flasë për ndarjen e saj nga jeta”.
Kujtojmë që Harry iu bashkua mbretit Charles, Princit William dhe anëtarëve të tjerë të familjes për shëtitjen prapa arkivolit të Mbretëreshës nga Buckingham Palace në Westminster Hall të mërkurën.
Rikujtojmë se ditën e djeshme Princ Harry festoi ditëlindjen e 38-të të tij. Top Albania Radio shkruan se nuk dihet saktësisht se si princi e festoi ditëlindjen, por një eksperte mbretërore, ish-korrespondentja mbretërore e BBC-së, Jennie Bond, tha për ‘OK!’ se ishte një ditë e heshtur.
Së fundmi, kritikët po spekulojnë se Meghan Markle kishte një mikrofon sekret nën fustanin e saj ndërsa përshëndeti njerëzit në Kështjellën Windsor pas vdekjes së Mbretëreshës. Megjithatë, burimet për “Page Six” kanë bërë me dije se kjo është e pavërtetë. Një burim i afërt me Markle tha se:
“Kjo është çmenduri dhe në fakt e dëmshme për të. Sigurisht që ajo nuk mbante mikrofon”.
Sjellim në vëmendje se funerali i Mbretëreshës Elizabet II do të mbahet të hënën më 19 shtator në Westminster Abbey në Londër, ka konfirmuar Buckingham Palace.
Kjo ditë është shpallur ditë pushimi në gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga mbreti Karl III, i cili e ka marrë zyrtarisht detyrën në mëngjesin e 10 shtatorit.
Top Channel