Sulmet me raketa dëmtojnë rëndë një digë në qytetin e lindjes së Zelenskyt

15/09/2022 11:51

Raketat ruse kanë goditur një digë rezervuari në qytetin ukrainas Krivij Rih, kanë thënë zyrtarët.

Banorëve në disa zona u është thënë që të evakuohen, ka deklaruar kryetari i qytetit, Oleksandr Vilkul, mirëpo ka shtuar se situata është nën kontroll.

Ukraina ka thënë se sulmet janë hakmarrje nga Rusia për kundërsulmin e nisur në fillim të muajit shtator.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky – i cili ka lindur në këtë qytet – e ka përshkruar Rusinë si “shtet terrorist”, pasi sulmit në rezervuarin Karaçunivske.

“Ju jeni njerëz të dobët që luftoni civilët”, ka thënë Zelensky në një adresim në orët e vona të së mërkurës.

“Njerëzit e poshtër që kanë ikur nga fushëbeteja, janë duke tentuar të bëjnë dëme diku më larg”, ka thënë ai.

Këto deklarata duket se kanë qenë referencë për suksesin e ushtrisë ukrainase në kuadër të kundërofensivës në rajonin e Harkivit.

Në këtë operacion, ushtria ukrainase ka thënë se ka rikthyer rajone të mëdha nën kontrollin e saj, duke zmbrapsur forcat ruse.

Në fjalimin e tij, Zelensky ka thënë se rezervuari “nuk ka asnjë vlerë ushtarake”.

Si ndodhi sulmi?

Viklul ka thënë se përgjatë natës janë kryer dy sulme për të rritur sasinë e ujit që kalon nga diga në lumin Inhulets.

Si pasojë e sulmit, shumë njerëz kanë mbetur pa ujë në këtë qytet, i cili para luftës ka pasur më shumë se 600.000 banorë.

Sipas zyrtarëve, uji ka dalë nga diga dhe ka vërshuar disa shtëpi. Në mëngjesin e së enjtes, situata është thënë të jetë përmirësuar dhe nuk ka raportime për viktima.

Moska nuk i ka komentuar publikisht raportimet për sulme me raketa. Ushtria ruse e ka pranuar më herët se ka goditur një termocentral për prodhim të energjisë, duke lënë pa rrymë milionë njerëz gjatë fundjavës së kaluar në rajonet lindore të Ukrainës.

Të mërkurën, Zelensky ka vizituar qytetin e rikthyer të Izjumit, pikë strategjike në rajonin e Harkivit, pasi forcat ruse e kanë përdorur si rrugë për furnizim.

Ai ka falënderuar trupat që kanë marrë pjesë në kundërofensivë dhe është zotuar se flamuri ukrainas do të rikthehet në secilin qytet dhe fshat të shtetit.

Shpejtësia e avancimit të forcave ukrainase duket se ka befasuar forcat ruse, pasi ka raportime se disa ushtarë rusë kanë braktisur uniformat e tyre për t’u fshehur në mesin e civilëve.

Rusia e ka pranuar se forcat e saj janë larguar nga disa fshatra në rajonin e Harkivit, mirëpo nuk e ka konsideruar këtë hap si zmbrapsje.

Autoritetet ruse kanë insistuar se forcat e tyre janë duke u rigrupuar.

Ky pretendim është përqeshur në Perëndim dhe vetë Rusinë.

Teksa forcat e Kievit fitojnë qasje në rajonet e pushtuara muaj më parë nga Rusia, dyshimet për krime lufte kanë nisur të dalin në pah.

Banorët në qytezën Balakja, që gjendet po ashtu në rajonin e Harkivit, i kanë thënë transmetuesit britanik, BBC, se trupat ruse kanë torturuar civilët në një stacion policor.

Rusia ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për sulme ndaj civilëve.

Ndonëse Rusia ende kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, qytezat në rajonin lindor të Donbasit, që kanë rënë në duart e rusëve në ditët e para të luftës, tani janë në fokus të ushtrisë ukrainase.

Luftime të ashpra janë raportuar në ato rajone ditëve të fundit.

Pasi kanë dështuar të marrin kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kievit, dhe zonave përreth, Moska ka thënë se do të fokusohet në Donbas, pjesë të të cilit kontrollohen nga rebelët e përkrahur nga Rusia.

Rusia ka insistuar se do të vazhdojë luftën ‘derisa të përmbushen të gjitha qëllimet e vëna”.

Një kundërofensivë tjetër ukrainase është duke vazhduar në rajonin jugor të Hersonit, mirëpo avancimi i trupave atje ka qenë më i ngadalshëm./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA