Kuvendi i Serbisë i dha këtë mëngjes dritën jeshile raportit për dialogun me Kosovën. 205 deputetë votuan pro dokumentit të titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes’ në Prishtinë”, ndërsa 57 ishin kundër.
“Raporti është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave”, përfshirë: Asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit. Diskutimet për të në parlamentin serb, zgjatën dy ditë.
Presidenti Aleksandër Vucic e beri të qartë se nuk do te këtë njohje, e se duhet të gjendet një zgjidhje realiste për Kosovën pasi sipas tij politika reale nuk mund të bazohet në mite.
Partia më e madhe opozitare në Serbi, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, nuk votoi për miratimin e raportit. Zyrtari i lartë i kësaj partie, Borko Stefanovic, u tha gazetarëve se raporti nuk përmban propozime për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë prezantimit të tij deklaroi edhe një herë Kosova është e pavarur nga Serbia dhe ky është fakt. Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Top Channel