“Nuk besoj në rrugë të shkurtra në udhëtimin drejt Bashkimit Europian.
Qëndrimi im është se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kenë vendin e tyre në BE, por kjo duhet të arrihet pas reformave sociale, cilësore, gjithëpërfshirëse, të realizuara pa kushte. Prandaj, mendoj se mesazhi nga Mali i Zi ka qenë i qartë deri më tani – jemi të gatshëm t’i plotësojmë kushtet, mbi të gjitha në fushën e sundimit të ligjit, e cila është kthyer në një pikë kyçe të axhendës së negociatave me bllokun europian”, me këto fjalë, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç iu përgjigj në një intervistë për REL thirrjeve të liderëve të vendeve të rajonit për një lehtësim të rrugës drejt BE-së nga frika se mund të bien nën ndikimin negativ rus. Këto thirrje u shpeshtuan edhe më shumë pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.
Gjukanoviç , si president i shtetit që ka ecur më larg në procesin e integrimit europian, me të gjithë kapitujt e hapur dhe me tre të mbyllur përkohësisht, shpreh besimin se Mali i Zi do të jetë anëtari i parë i ardhshëm i unionit. Ndërkohë, ky shtet rendihet në mesin e vendeve që sipas Brukselit mbajnë epitetin e “të kapurit” nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, ndërsa emri i vetë presidentit është shfaqur në bazën e të dhënave të gazetarëve hulumtues për “parajsat fiskale” anekënd botës, të njohura si “Panama Papers”.
Gjukanoviç thotë se narracioni i kapjes së shtetit në vendet e Ballkanit Perëndimor. ka qenë i nxitur nga pavendosmërinë e bllokut europian për t`i pranuar vendet e rajonit. Ai shtoi se shteti është gjithmonë më i fortë se kriminaliteti, duke përmendur luftën e ashpër ndaj qasjes së klaneve mafioze në institucionet e sistemit.
Top Channel