Vdekja e mbretëreshës, ndeshjet e Premier League me protokoll të veçantë

14/09/2022 17:54

Britania e Madhe ende gjendet në zi pas ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elizabet II. Një ngjarje e cila ka prekur edhe botën e futbollit teksa sfidat e fundjavës së kaluar në Premier League u shtynë të gjitha.

Në këtë javë, sërish kalendari nuk do të realizohet plotësisht pasi sfidat Brighton-Crystal Palace, Manchester United-Leeds dhe Chelsea-Liverpool nuk do të zhvillohen për shkak të angazhimit të forcave të rendit në funeralin e Mbretëreshës.

Nga ana tjetër, sipas Top Albania Radio, klubet e Premier League të cilat do të zbresin në fushë do të ndjekin edhe një protokoll të caktuar nga Federata.

Kështu, himni kombëtar do të luhet në fillimin e çdo ndeshje, ndërsa në minutën e 70-të, publiku do të ftohet të duartrokasë për Mbretëreshën, pikërisht në nder të 70-viteve të kaluara në fron.

Ndërkaq, një tjetër aspekt lidhet edhe me veshjen e trajnerëve të skuadrave. Edhe pse nuk do të jetë me detyrim, secili prej tyre është njoftuar për t’u paraqitur në ndeshje i veshur me kostum për të respektuar deri në detaj homazhin për Mbretëreshën Elizabet II.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA