Në tetor hyn në fuqi rregullorja e re, kushte më strikte për shitjen e obligacioneve të bankave te individët

14/09/2022 09:29

Në fund të muajit të ardhshëm, do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës së Shqipërisë “Mbi kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara”.

Rregullorja përcakton disa kushte më strikte që duhet të duhet të plotësojnë obligacionet e emetuara nga bankat për t’u pranuar si instrumente të kapitalit të tyre rregullator.

Me rregulloren e re, shitja e instrumenteve të borxhit të pranuar tek klientët jo profesionistë duhet të kryhet në përputhje me kërkesat e ligjit “Për tregjet e kapitalit”. Këto instrumente do të pranohen si kapital rregullator nga Banka e Shqipërisë vetëm nëse banka ka kryer dhe dokumentuar testin e përshtatshmërisë, në bazë të të cilit ka rezultuar se instrumenti është i përshtatshëm për klientin joprofesionist. Kategorizimi i klientëve dhe mënyrat sesi kryhet testi i përshtatshmërisë rregullohet nga dispozitat e seksionit të dytë të ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Veç testit të përshtatshmërisë, rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë kërkon që instrumentet e detyrimeve të pranuara të cilat blihen nga klientët joprofesionistë duhet të përmbajnë dispozita detyruese, me anë të së cilave blerësit e obligacioneve bien dakord që të pranojnë çdo zvogëlim të principalit apo shumës së disbursuar e të papaguar, si dhe çdo konvertim apo anulim që kryhet gjatë ushtrimit të detyrës nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Kjo nënkupton se këta kreditorë duhet të jenë të gatshëm të pranojnë humbje ose konvertimin e detyrimit në kapital, në rast se banka bëhet subjekt i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.

Në versionin fillestar, projektrregullorja përcaktonte se obligacionet e shitura te klientët joprofesionistë do t’u njiheshin bankave si kapital rregullator i nivelit të dytë, vetëm në rast se vlera nominale e instrumentit do të ishte paktën pesë milionë lekë. Një kufizim i tillë kishte qëllim të mbronte investitorët e vegjël, të paspecializuar, nga investimi në borxhin e varur të bankave. Pas ankesave të shprehura nga bankat, Banka e Shqipërisë e ka hequr vlerën dysheme prej pesë milionë lekësh që do t’iu kufizonte individëve apo investitorëve të tjerë joprofesionistë investimin në obligacione të bankave tregtare.

Bankat kanë qenë promotorët kryesorë të instrumenteve të borxhit privat në Shqipëri, përmes obligacioneve me ofertë private. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i këtyre instrumenteve, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, arriti në fundin e muajit qershor në 12.37 miliardë Lekë ose pothuajse 106 milionë Euro. Në pjesën dërrmuese, emetues të tyre janë bankat tregtare.

Qëllimi i emetimit të këtyre instrumenteve zakonisht është përdorimi si kapital rregullator i nivelit të dytë, sipas kërkesave të rregullores përkatëse të Bankës së Shqipërisë. Deri tani, këto instrumente janë ofruar tek individët depozitues të bankave, që i kanë parë si një alternativë me kthime të kënaqshme, në një periudhë kur normat e interesit për depozitat kanë qenë në nivelet më të ulëta historike. Me rregulloren e re, në teori shitja tek individët mund të jetë më e vështirë, sepse ata duhet t’i nënshtrohen një testi të përshtatshmërisë, ndërsa duhet të pranojnë shprehimisht në kontratë se janë të gatshëm të pranojnë humbje nga investimi i tyre.

Në praktikën botërore, instrumentet e borxhit të varur janë të orientuara kryesisht tek investitorët e specializuar, që janë plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet dhe për mundësitë e humbjes nga këto instrumente. Në Shqipëri, obligacionet në formën e borxhit të varur janë blera kryesisht nga individët, sepse emetimi i tyre me ofertë private e bën të vështirë pjesëmarrjen për investitorët e specializuar. Rregullat më strikte që ka vendosur Banka e Shqipërisë në rregulloren e re mund të jenë një shtysë që bankat të eksplorojnë mundësitë e nxjerrjes së këtyre instrumenteve në ofertë publike, çka do të shënonte një hap në drejtim të zhvillimit të tregut të titujve financiarë në Shqipëri. Deri tani, ky treg është i kufizuar vetën në instrumentet e qeverisë shqiptare./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA