Momente terrori për trajnerin e Portos, Sergio Conceicao dhe familjen e tij. Sipas mediave portugeze, gjithçka ndodhi pas humbjes së thellë të skuadrës, 0-4 ndaj Club Brugge në “O’Dragao”, teksa tifozët e Portos nuk e përballuan mirë këtë disfatë dhe sulmuan makinën e trajnerit.
Mjeti drejtohej nga bashkëshortja e Conceicaos, Liliana, teksa në makinë ishte trajneri i Portos dhe dy djemtë e tij, Rodrigo 22 vjeç dhe Jose 7 vjeç, ndërsa xhamat e dritareve të makinës u thyen nga gurët e ardhur nga ana e rrugës.
Njëri prej gurëve goditi djalin e trajnerit të Portos, por për fat të mirë, pa i shkaktuar dëmtime, teksa dyshohet që akti të jetë kryer nga një grupim i vogël tifozësh. Trajneri ka drejtuar normalisht seancën e radhës stërvitore, ndërsa pjesa më e madhe e tifozëve janë solidarizuar me të në rrjetet sociale.
Sergio Conceicao është në sezonin e tij të 6 në pankinën e Portos dhe deri tani ka fituar tre tituj kampionë, tre SuperKupa Portugalie dhe dy Kupa Portugalie.
Top Channel