Inside Story zbulon sot grupet e fuqishme që kanë komandën në Fier dhe hasmëritë e ashpra mes disa familjeve.
Ekipi udhëtoi drejt lagjes 1 Maji në Fier, e njohur si “Mali i Çamëve”, pasi banorët aty janë kryesisht me origjinë nga kjo trevë shqiptare. Mes të fortëve që kanë bazën në atë lagje është edhe Renato Sali, i njohur si “Renato çami”.
Këtë personazh që njihet si biznesmen, thuajse askush nuk arrin ta dallojë si imazh. Ai është përfolur nga opozita për implikim nëpër fushata në mbështetje të mazhorancës. Pavarësisht emrit që i peshon fortë, ky personazh nuk ka asnjë problem me drejtësinë. Në të vetmen çështje që ka pasur për akuzën e vrasjes, është shpallur i pafajshëm. Ai nuk ka asnjë konflikt publik të njohur dhe operon si biznesmen i deklaruar në institucione.
Në Fier, nuk është vetëm vrasja e Demir Backës që ka trazuar ujërat mes të fortëve. Një bos i vjetër i zonës është rikthyer në liri së fundi. Selami Hasani, i njohur me nofkat “Sel çami” dhe “Seli i malit” ka lënë qelinë pas 11 vitesh burg për vrasje. Ai, njihet si armiku më i betuar i “Ben Qimes”, njeriut që sot qëndron në majat e piramidës në Fier. Baza e Sel Hasanit është në këtë zonë në lagjen 1 Maji në Fier.
“Nëse ka sot një organizatë në Shqipëri që është shumë e fuqishme, e paekspozuar, ajo padiskutim ndodhet në Fier, dhe nuk rendis dot nëse ka 1-sh, kur them e kanë në rang kombëtar padyshim ka hierarki, por gjëja më e mirë është që në Fier secili di peshën e vetë dhe respekton balancat, statusin e tij”, u shpreh Artan Hoxha.
Në fillim të viteve ’90, Sel Çami ishte ndër kapobandat më të rëndësishëm të Fierit. Arben Isufaj, kishte nisur të bënte shoqëri me të edhe pse “Ben Qimja” aso kohe njihej si djalë që qëndronte larg problemeve. Ai rridhte nga një familje e rregullt. Në fillim të vitit 1994 Ben Qimja konfrontohet me Pirro Koçiun dhe dy kushërinj të tij me mbiemër Yzeiri që njiheshin si djemtë e “Sel Çamit”.
Babai i Arbenit, Enver Isufaj një njeri që gëzonte reputacion në zonë, angazhohet për zgjidhjen e konfliktit. Por, Enver Isufaj do të vritej në një bilardo në afërsi të banesës në zonën e Sheqit. Në vrasje, dyshohet se kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Sel Çamit. Kjo, zbulohet nga dëshmia e Bledar Kastratit disa vite më vonë, kur ai së bashku me kushëririn e Ben Qimes ranë pre e një atentati.
“Juliani dhe familja e tij kishin hasmëri me të pandehurit Pëllumb Yzeiraj dhe Selami Hasani. Vëllai i të pandehurit Selami Hasani, Ladi, kishte vrarë xhaxhanë e tij Enver Isufi dhe në këtë vrasje kishte marrë pjesë edhe Pëllumb Yzeiraj”.
Kjo ngjarje, do të ishte pikënisje e një serie të gjatë hakmarrjeje mes familjes kosovare të Ben Qimes dhe familjes came të Selami Hasanit.
“Unë njoh dhe kam pasur nëpër duar komplet kontigjentin e trafiqeve aty, të drogës kuptohet, Familjet në Fier, problem kriminalitetit është i mbështetur e zhvilluar në bazë familjare”, u shpreh Dritan Zagani, ish-shef i antidrogës në Fier.
Pasi i vranë të atin, Arben Isufaj largohet jashtë. Nga viti 1994 deri në 1998 ai nuk u shfaq në Fier. Isufaj u shpërngul në Spanjë e më pas në Holandë dhe Itali duke krijuar lidhje të fuqishme në trafikun e kokainës. Ben Qimja u fuqizua shumë dhe u shndërrua në furnitorin kryesor të bandës së Aldo Bares në Itali, siç u zbulua nga përgjimet.
“Fierakët këtë synuan që të ishin grosistët, tregtarët e shumicës, që të kishin kontrollin dhe atë bënë. Ku duhej ta bënin me para e bënë me para, ku duhej aleancë lidhnin aleanca, kanë qenë ndër grupet më korrekte në botën e krimit”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.
Top Channel