Dënohet ‘rëndë’ burri që qëlloi për vdekje shitësin që i refuzoi shërbimin se nuk mbante maskë në Gjermani (fotot)

13/09/2022 15:22

Një burrë 50-vjeçar është dënuar sot me burgim të përjetshëm në Gjermani pasi qëlloi për vdekje shitësin e pikës së karburantit që nuk e lejonte të merrte birra sepse nuk mbante maskë.

Burri kishte probleme me kufizimet e vendosura ndaj sëmundjes pasi ato e kishin parandaluar të vizitonte nënën e tij të sëmurë në spital.

Babai i tij kishte vrarë veten pasi ishte diagnostikuar me kancer në fillim të vitit 2020.

Ndërsa nëna e tij u mbajt gjatë në spital dhe nuk lejohej të takonte vizitorëve, derisa kishte vdekur edhe ajo.

“Kufizimet e Covid sollën vetëvrasjen e babait tim dhe vdekjen e nënës time”, tha në gjykatë i akuzuari, sipas të përditshmes vendase Bild.

Për të njëjtat arsye burri nuk kishte qenë i aftë të shkonte as në funeralin e të atit.

Vrasja e shtatorit 2021 kishte shokuar qytezën perëndimore Idar-Oberstein dhe nxiti lëvizjen lokale anti-vaksina e anti-maska në kundërpërgjigje të kufizimeve të qeverisë.

Konflikti kishte nisur kur studenti 20 vjeçar që punonte në pikën e karburantit i kishte kërkuar të akuzuarit të vendoste maske brenda dyqanit, siç kërkohej asokohe në dyqanet në Gjermani, dhe pas një debati të shkurtër buri ishte larguar.

I akuzuari i identifikuar vetëm si Mario N. u kthye rreth gjysmë ore më vonë me maskën në fytyrë, bleu birrat e tij por një argument i ngjashëm kishte nisur përsëri me punonjësin.

Atëherë ai kishte nxjerrë një pistoletë dhe e kishte qëlluar punonjësin në kokë nga afër.

Sot gjykata e rrethit të Bad-Kreuznach dënoi Mario N. për vrasje e zotërim arme zjarri, me burgim të përjetshëm.

Sipas ligjit në Gjermani njerëzit që dënohen me burgim të përjetshëm mund të kërkojnë lehtësira vetëm pas 15 vjetësh. Mbrojtja e tij kërkonte dënim për vrasje nga pakujdesia dhe jo për vrasje.

Prokurorja Nicole Frohn tregonte sesi Mario N. ishte gjithnjë e më i tërbuar për kufizimet e virusit që i konsideronte një shkelje e të drejtave të tij.

“Meqënëse ai e dinte se nuk mund të arrinte te politikanët përgjegjës vendosi të vriste atë”, tha ajo.

Gjermania ka zbutur tashmë kufizimet e ashpra të virusit por ato mbeten në disa ambjente të caktuara.

FOTO GALERI
1/3
Një burrë 50-vjeçar është dënuar sot me burgim të përjetshëm pasi qëlloi për vdekje shitësin që nuk e lejonte të merrte birra sepse nuk mbante maskë.

Top Channel