Vizitorëve në Zelandë të Re nuk do t’iu kërkohet që të jenë të vaksinuar kundër koronavirusit për të hyrë në shtet, ka thënë kryeministrja e këtij vendi, Jacinda Ardern.
Ky shtet nuk do të kërkojë më as vendosjen e maskës, përveç në spitale dhe shtëpi të kujdesit për të moshuarit.
“Është koha që në mënyrë të sigurt të kalojmë në kapitullin e ri të menaxhimit të koronavirusit dhe të jetojmë pa masat e jashtëzakonshme që i kemi miratuar më parë”, ka thënë Ardern.
Ky shtet pati mbyllur kufijtë për pothuajse të gjithë njerëzit në mars të vitit 2020. Autoritetet i kanë hapur tërësisht kufijtë vetëm në korrik të këtij viti.
Ardern ka bërë të ditur po ashtu se kërkesa që turistët të testohen para se të hyjnë në Zelandë të Re, do të jetë vetëm rekomandim dhe jo detyrim.
Në mesin e ndryshimeve tjera është edhe ajo që vetëm të infektuarit duhet të izolohen për shtatë ditë dhe jo rastet e kontaktit.
Zelenada e Re, shtet me rreth pesë milionë banorë, ka raportuar më shumë se 1.7 milion raste me koronavirus dhe rreth 2.000 viktima prej shpërthimit të pandemisë.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Deri më tani janë regjistruar mbi gjashtë milionë njerëz të vdekur me këtë virus./Rel
Top Channel