Krimineli i luftës Ratko Mlladiç, i cili po vuan dënimin e përjetshëm në Hagë për krime lufte, është shtruar në spital dhe është në gjendje të rëndë, njoftuan familjarët e tij.
Djali i tij Darko Mlladiç tha se ai ishte shtruar në spital për një javë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Ai ishte fillimisht në spitalin civil në Hagë, ndërsa që prej të enjtes ndodhet në spitalin e burgut të Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Gjykatat Penale me seli në Hagë.
Në qershor të vitit 2021, gjykata në Hagë konfirmoi dënimin e përjetshëm të Ratko Mlladiçit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera në Bosnje nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Ai u shpall fajtor për gjenocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës, kur forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe adoleshentë myslimanë në korrik të vitit 1995.
Darko Mlladiç u tha disa mediave në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë se babai i tij vuante nga “pneumonia, akumulimi i lëngjeve në mushkëri dhe dështimi i zemrës”.
Top Channel