Vuçiç: Perëndimi po propozon “kornizë të re” për dialogun Kosovë-Serbi

10/09/2022 13:15

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur se diplomatët evropianë kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Ai i ka bërë këto deklarata të shtunën, pas takimit që ka pasur me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Një ditë më herët, Vuçiq ka pritur në Beograd të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

“Sipas tyre [diplomatëve evropianë], dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, ka thënë Vuçiq më 10 shtator.

Ai ka shtuar se diplomatët evropianë kanë theksuar se e kanë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për diçka të tillë.

“Marrëveshja do të nënkuptonte – nuk mund të them njohje të Kosovës – mirëpo do të ishte njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet’, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, përfaqësuesit evropianë kanë treguar se pozicioni i Perëndimit është se Evropa nuk ka nevojë për konflikte të reja, andaj është shumë e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur.

Vuçiq ka thënë se në takim me diplomatët evropianë ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por se është e gatshme për zgjidhje kompromisi. Ai nuk ka dhënë detaje se çfarë nënkupton me zgjidhje kompromisi.

Duke folur pas takimit me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Vuçiq, po ashtu ka thënë se fuqitë e mëdha perëndimore, plus Turqia, besojnë se zgjidhja e mundshme e çështjes së Kosovës përmes pavarësisë së saj, do t’i jepte përgjigje edhe presidentit rus, Vladimir Putin në lidhje me Krimenë.

“Pas kësaj, ata do të thoshin: Nëse Krimeja dhe Ukraina arrijnë marrëveshje, atëherë mundet, por pa të nuk është e mundur. Pra, ne jemi bërë dëm kolateral i konflikteve të mëdha dhe sjelljes së tyre joparimore nga e kaluara”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, diplomatët evropianë kanë thënë po ashtu se presidenti Putin “e ka ngritur perden dhe se u mbetet vendeve të deklarojnë se në cilën anë duan të jenë”.

Serbia është i vetmi vend në Ballkan që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Tre diplomatët evropianë kanë qëndruar më 9 shtator edhe në Kosovë, ku kanë takuar kryeminisrin Albin Kurti.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.

Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë emëruar këshilltarët e tyre për të ndihmuar këtë dialog.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit po atë ditë, Macron dhe Scholz kanë thënë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Ata, po ashtu, u kanë bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, sipas tyre, do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kosova thotë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke; Serbia kundërshton. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb. Pavarësia e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”./REL

Top Channel