Ceremonia e funeralit të Mbretëreshës Elizabeta II do të zhvillohet më 19 shtator në orën 11:00 në Londër, ka njoftuar Pallati Buckingham.
Kjo ditë është shpallur ditë pushimi në gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga Mbreti Karl III, i cili e ka marrë zyrtarisht detyrën mëngjesin e ditës së sotme.
Trupi i pajetë i mbretëreshës do të dërgohet nga Kështjella Balmoral në Edinburg këtë të dielë, përpara se të dërgohet të martën në Londër.
Nga dita e mërkurë trupi i saj do të jetë në ndërtesën e Parlamentit britanik, deri në ditën e varrimit.
“Ne do të kryejmë detyrën tonë në ditët në vijim me zemrën e rënduar, mirëpo me gatishmërinë për të siguruar një lamtumirë të dinjitetshme për një prej figurave më definuese të kohërave tona”, tha Edward Fitzalan-Howard, duka i Norfollkut.
Mbretëresha e Britanisë së Madhe mbylli sytë më 8 shtator, në moshën 96-vjeçare.
Ajo ka mbajtur fronin në Mbretëri të Bashkuar për plot 70 vite, duke u bërë kështu monarkja më jetëgjatë në këtë shtet.
Ceremonia e mbajtur sot në Pallatin Shën James në Londër, i dha zyrtarisht titullin Mbret, Karlit III.
“Jam krejtësisht i vetëdijshëm për këtë trashëgimi të madhe dhe për detyrat e përgjegjësitë e sovranitetit që janë tani mbi mua”, tha mbreti.
Top Channel