Këtë të premte këshilltarët e presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz iu bashkuan në vizitë në Kosovë të dërguarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Në këtë vizitë ata takuan për më shumë se dy orë vetëm kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, takim për të cilin detajet ishin të pakta.

Miroslav Lajçak – I dërguari Bashkimit Evropian për Dialogun:

“Diskutuam për dialogun dhe rreth asaj se si ta qojmë procesin përpara. Ishte një diskutim i rëndësishëm dhe besoj se mund ta kuptoni se nuk mund t’i bëjmë të ditura detajet sepse të njëjtat diskutime do t’i kemi sot edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç”

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti në takimin e radhës me ndërkombëtarët u shpreh se Kosova ka vullnet dhe gatishmëri për dialog parimor dhe se qëllimi është arritja e një marrëveshjeje me njohjen reciproke në qendër.

Pasditen e së premtes, këshilltarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, bashkë me emisarin Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takim me të njëjtën temë diskutimi edhe në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Vizita e këshilltarëve francez dhe gjerman vjen pas letrës së përbashkët të Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz që kërkonte përshpejtim të dialogut.

 

Top Channel