Analistët kryesorë të futbollit në Britani Gary Neville e Piers Morgan u shprehën kundër vendimit për të shtyrë ndeshjet e fundjavës pas vdekjes së mbretëreshës Elizabeth II.
Legjenda e Manchester United, Neville tha se ishte dakord me opinionin e Morgan, i cili tha se sporti mund të bënte homazhe dinjitoze për monarken, pa qenë nevoja të ndalohej aktiviteti sportiv.
Zyrtarët e Premier League vendosën mëngjesin e sotëm që ndeshjet e kësaj fundjave (perfshi dhe te henen) të shtyhen për respekt ndaj monarkes së ndjerë, e cila vdiq dje në moshën 96 vjeçare.
Por Morgan e Neville besojnë se është marrë një vendim i gabuar.
Që para dhënies së vendimit të federatës, Morgan komentonte: “Eventet sportive duhet të vijojnë sepse mbretëresha e donte sportin, dhe sepse do të ishte shumë e bukur të shije turmat të këndonin himnin si një homazh ndaj madhërisë së saj, siç ndodhi dje në ndeshjen e luajtur nga West Ham për Europa League.”
Ndërsa pasi pa njoftimin, Morgan komentoi sërish: “Vendim qesharak,” shoqëruar me një ‘emoji’ mosaprovimi.
Neville reagoi ndaj komentit të Morgan duke shkruar: “Jam dakord me Piers. Sporti mund të demonstrojë më mirë se të tjerët respektin për mbretëreshën”.
Ndeshjet e kriketit të fundjavës gjithashtu janë shtyre në Britani.
Top Channel