Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se Policia e Kosovës prej sot ka filluar patrullimin ujor në kufi me Serbinë si dhe të gjithë hapësirën e Liqenit të Ujmanit, për herë të parë që nga përfundimi i luftës.
Sveçla ka shkruar në Facebook se tashmë kufiri shtetëror është i plotë.
“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”, ka shkruar ai.
Me këtë rast, ai nuk ka lënë pa vlerësuar punën e Policisë së Kosovës.
“Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për suksesin e radhës!”, ka përfunduar Sveçla.
Ujmani është liqen artificial dhe shtrihet në veriperëndim të Kosovës, ndërsa një pjesë e vogël e liqenit kalon në territorin e Serbisë./KosovaPress
Top Channel