Kredi të buta familjeve të reja/ Bashkia e Tiranës do krijojë këtë vit programin e bonusit të qirasë

07/09/2022 09:54

Familjet dhe çiftet e reja në kryeqytet që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë të re sipas normave të interesave të tregut, do të përfitojnë nga mundësitë e reja që Bashkia e Tiranës do të krijojë këtë vit për programin e kredisë së butë dhe për bonusin e qirasë.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se mbështetja për familjet e reja është një nga prioritetet e Bashkisë.

 “Pika që reflektohet në këtë ndryshim buxheti ka të bëjë me atë që quhet bonusi i strehimit. Ne kemi marrë një sasi të re mundësish për kredi të buta edhe nga Enti i Banesave. Duam ta reflektojmë dhe të hapim një proces tjetër. Ajo që ne mund të bëjmë si një nga operatorët që jo vetëm vendos urbanizimin, por dhe që lehtëson familjet e reja në marrjen  e shtëpisë së parë, është që të kërkojmë sa më shumë ndihmë në mundësitë e kredive te reja dhe ky është një reflektim tjetër dhe bonusi i strehimit që ne e kemi për këtë ndryshim të buxhetit”, sipas Veliajt.

Ndërkaq, një tjetër reflektim në buxhet ishte dhe sa i përket një hapësirë agro-teknologjike në Farkë.

“Nëse shkoni nga zona e Lundrës drejt zonës së Farkës ku është fusha e Helikopterëve,  keni vënë re një shesh të madh ndërtimi pronë e Bashkisë së Tiranës, ku janë vendosur tani kolonat dhe do vendosen panelet që do të jetë tregu i madh agroushqimor.

Ne nuk duam që ai të jetë vetëm treg shumice, ne duam të kemi aty minisera për të demonstruar si funksionon një serë moderne. Ne duam që ai të jetë më shumë se sa një treg ushqimor, të jetë dhe një hapësirë agroteknologjike”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA