Gjykatësja Aileen Cannon po përballet me kritika të ashpra pas vendimit të marrë të hënën pro një kërkesë të bërë nga ekipi ligjor i ish-presidentit Donald Trump, për të caktuar një ekspert të pavarur, për të shqyrtuar dokumentet e marra nga FBI-ja në shtëpinë e zotit Trump në Florida, gjatë një kontrolli të kryer më 8 gusht.
Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton rreth zotërimit dhe ruajtjes në kushte të papërshtatshme të informacioneve të ndjeshme të lidhura me sigurinë kombëtare, si dhe përpjekjet për të penguar hetimet që po kryente kjo agjenci.
Eksperti që pritet të caktohet do të ketë gëzojë kompetenca për t’i marrë FBI-së çdo material që mund të mbrohet nga privilegji avokat-klient apo ai ekzekutiv.
Vendimi i gjykatës pasoi kundërshtimet e forta nga ana Departamentit të Drejtësisë, që tha se një i ashtuquajtur ekspert i posaçëm, nuk ishte i nevojshëm, pjesërisht sepse zyrtarët i kishin shqyrtuar tashmë dokumentet që potencialisht mund të konsiderohen të privilegjuara.
Vendimi i gjykatëses u përshëndet nga mbështetësit e zotit Trump të cilët kanë kërkuar kontroll mbi hetimin që po kryen Departamenti i Drejtësisë. Të tjerë thonë se zonja Cannon i siguroi një avantazh të panevojshëm ish-presidentit duke pezulluar në mënyrë të panevojshme pjesë të punës hetimore që po kryen Departamenti. Ata thonë se vendimi ka ngadalësuar vrullin e hetimit federal mbi shkeljen e mundshme të Aktit të Spiunazhit.
Departamenti i Drejtësisë nuk ka dhënë detaje nëse do të apelojë vendimin. Brandon Fox, një avokat nga Los Anxhelosi dhe ish-prokuror federal shton se ka arsye se pse kjo agjenci mund të mos e ndërmarrë një veprim të tillë, mes tyre shqetësimi për vonesa të mëtejshme në hetim apo se mund të bëhet shkak për praktika gjyqësore që mund të dëmtojë hetime të ardhshme.
Pavarësisht se çfarë pritet të vendosë Departamenti i Drejtësisë, opinioni i dhënë nga zonja Cannon thotë zoti Fox krijon një perceptim për “dy sisteme drejtësie”.
“Sistemi i drejtësisë penale është krijuar për të siguruar që të gjithë të jenë përgjegjës në të njëjtën mënyrë për krimet që dyshohet se kanë kryer“, tha zoti Fox. “Këtu, duket se zoti Trump po merr trajtim të veçantë, për shkak se ka mbajtur pozitën e ish-presidentit”, shtoi ai.
Ish-prokurori i përgjithshëm gjatë administratës Trump, William Barr, tha për rrjetin televiziv ‘Fox News’ të martën se vendimi i gjykatëses “kishte të meta të thella mbi një sërë çështjesh”.
Një gjyqtare federale pak e njohur dhe e emëruar në këtë detyrë dy vjet më parë nga zoti Trump, zonja Cannon ndërmori me lehtësi të hënën hapin më të rëndësishëm të karrierës së saj. Kjo e ka futur ish-prokuroren federale me origjinë kolumbiane, në qendër të një debati ligjor të zjarrtë, rreth kufijve të privilegjit ekzekutiv dhe pushtetit presidencial.
Zonja Cannon është gjyqtarja federale më pozitën më të ulët në Distriktin Jugor të Floridës, ku pesë nga 16 gjyqtarët aktivë janë emëruar nga zoti Trump.
Gjatë rreth shtatë viteve të saj si ndihmës prokurore federale zonja Cannon punoi kryesisht jashtë zyrës së prokurorit, në Fort Pierce të Floridës, pjesë e të njëjtit distrikt federal si Majemi, por rreth 209 kilometra në veri. Rastet atje përgjithësisht nuk marrin të njëjtën vëmendjeje si ato në zonat me popullsi më të dendur dhe ku prania mediatike është e madhe.
Prej vitit 2013, zonja Cannon ka ndjekur penalisht 41 raste si pjesë e Divizionit për Krimet e Mëdha, duke trajtuar më vonë apelimet e dënimeve dhe dënimet penale.
Një prej tyre përfshinte një të pandehur në një skemë të madhe Ponzi (apo skemë piramidale) prej 800 milionë dollarësh, i cili apeloi por pa sukses ndaj një numër dënimesh të tij për mashtrim në Gjykatën e 11-të të Apelit në Atlanta. Përfaqësuesi ligjor i të pandehurit, avokati nga Majemi Richard Klugh, e cilësoi zonjën Cannon si “shumë të zgjuar dhe të talentuar” e me një qëndrim të drejtë ndaj mbrojtjes.
“Nuk mund ta karakterizoj asgjë tjetër përveçse si një avokate të mirë dhe asnjë paragjykim politik“, tha zoti Klugh, duke shtuar se ai ka punuar në çështjet e trajtuara nga zonja Cannon si gjyqtare federale, megjithëse nuk është paraqitur në sallën e gjyqit.
Top Channel