Megjithëse se nuk ka pasur gatishmëri nga të gjitha shtetet anëtare të bllokut për të ndalur dhënien e vizave për qytetarët rus, një gjë është e sigurtë: ky proces për ta do të bëhet shumë më i vështirë.
Komisioni Europian propozoi pezullimin e plotë të marrëveshjes për lehtësimin e vizave mes BE-së dhe Federatës Ruse. Ky propozim është në një linjë me propozimin me të cilin u dakortësuan ministrat e Jashtëm të BE-së gjatë takimit joformal që u mbajt javën e kaluar në Pragë të Republikës Çeke.
“Shtete si Rusia që bën agresion dhe luftë, nuk duhet të kualifikohen për lehtësim vizash. Kjo përsa kohë ajo vazhdon të zbatojë një politikë të jashtme destruktive dhe ofensivë ushtarake kundër Ukrainës, duke demonstruar kësisoj qartazi shpërfillje të hapur ndaj rendit ndërkombëtar”- thuhet në deklaratë.
Pezullimi i marrëveshjes, sipas Komisionit Europian, është edhe përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë të bllokut dhe interesave të tij si dhe shteteve anëtare si rezultat i pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Një hap i tillë nënkupton se shtetasit e Rusisë nuk do të mund të kenë më një qasje të privilegjuar në BE dhe do të përballen me një proces më të gjatë për marrjen e vizave, më strikt dhe do të paguajnë më shtrenjtë për viza.
Në njoftimin e KE-së thuhet se “BE-ja do të mbetet e hapur për disa kategori të qytetarëve të Rusisë që udhëtojnë për nevoja esenciale, përfshirë ata që kanë anëtarë të familjes në BE, gazetarët, disidentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile”.
Top Channel