Ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë të mbijetuarit e një ekspedite ngjitëse në vullkanin më të lartë të Euroazisë që ka marrë tashmë tetë jetë.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti tha se viktimat ishin pjesë e një grupi prej 12 individësh, duke përfshirë dy udhërrëfyes, të cilët janë ngjitur në Klyuchevskaya Sopka në rajonin verilindor të gadishullit Kamchatka të Rusisë që nga 30 gushti.
Ministria e Mbrojtjes Civile e Rusisë, Emergjencave dhe Ndihmës ndaj Fatkeqësive deklaroi në median shtetërore se një grup shpëtimi po ngjitet për të arritur tek të mbijetuarit, fati i të cilëve nuk dihet.
Ekipet e shpëtimit shpresojnë të arrijnë në kamp deri në mesnatë dhe të vazhdojnë lart të nesërmen herët në mëngjes.
Situatën po e vështirëson akoma më shumë, moti i keq me erëra të forta, temperatura të ulëta dhe borë në lartësi të mëdha.
“Rezultati i operacionit të kërkim-shpëtimit varet nga moti, retë e hirit në shpatet, shkrirja e akullnajave, rrjedhat e baltës dhe rënia e shkëmbinjve”, tha ministria.
Përpjekjet e mëparshme të kërkimit dhe shpëtimit për të arritur individët e bllokuar ishin të pasuksesshme, pasi erërat e forta penguan një helikopter të zbarkonte të dielën, një ditë pasi pesë anëtarë të grupit u rrëzuan për vdekje.
Ndërsa mëngjesin e sotëm, numri i viktimave u rrit me tre persona të tjerë.
Sipas CNN ministri i Situatave Emergjente për rajonin ku ndodhet vullkani ka hapur një linjë telefonike për të informuar të afërmit në lidhje me zhvillimin e stiuatës.
“Të afërmit mund të mësojnë informacione për ecurinë e operacioneve të kërkim-shpëtimit, si dhe, nëse është e nevojshme, të marrin ndihmë psikologjike“, tha shërbimi për shtyp i ministrisë.
Tashmë ka nisur një hetim për të zbuluar shkakun e vdekjes dhe se si ka ndodhur tragjedia.
Klyuchevskaya Sopka (4,750 metra) është mali më i lartë i Siberisë dhe vullkani më i lartë aktiv i Euroazisë.
Top Channel