Fiks Fare mbrëmjen e të hënës çeli sezonin e ri televiziv me një masakër që po bëhet në Alpet Shqiptare. Kjo zonë e shpallur e mbrojtur në Janar të këtij viti është shkatërruar nga prerja masive e pyllit pa kriter.
Pamjet që Fiks fare treguan qartë rrafshimin e pyllit nga Malësia e Kelmendit deri në Bjeshkët e Janicës e Morinës. Panorama të lë pa fjalë! Kamiona pa targa që ngjiten në mal ,stiva me dru të prera pa fund ,zhurma e motorsekave që presin pyllin pa kriter, rrugë dhe fusha të krijuara nga shpyllëzimi në malet e Kelmendit mes fshatit Lëpushë dhe Vermosh, të njohura nga të gjithë si fshatra turistik. Gjatë gjithë udhëtimit prej më shumë se katër orësh për t’u ngjitur në mal gazetarët e Fiksit përballen me stiva të druve të prerë. Në rrugë nuk mungojnë as makina të përshtatura për ngarkesë me targa të huaja. Brenda automjetit gazetarët nuk gjejnë njeri. Në gjatësinë e rrugës hasen në stiva të tjera drush të prera e të stivosura gati për transportim. Kësaj radhe përreth ka edhe njerëz dhe kamion që presin të ngarkohen.
Në shpatin përballë fshatit Vermosh dëgjohen zhurmat e motorsharrave që presin drutë e pyllit. Gazetarët xhirojnë me dron duke kapur momentin e prerjeve të druve të pyllit. Njerëzit që presin pa kriter pyllin pikasin gazetarët dhe me vrap shkojnë drejt tyre. Për të dalë nga situata një prej tyre u thotë se është i pajisur me leje nga Bashkia e Malësisë së Madhe për prerje dhe drutë ja çon bashkisë. Gazetarët i kërkojnë t’u tregojë zonën se ku i presin drutë, pasi ato duhet të jenë të damkosura nga inspektorët e pyjeve para se të priteshin. Ai pranon t’i çojë gazetarët në zonën ku i ka prerë drutë, por kur mbërrijnë në vend personi u pohon gazetarëve që nuk ka leje për prerjen e pyllit. Gjithashtu u thotë se pas tij fshihet një njeri që “më mirë mos e ditë kush është”. Pranon gjithashtu se kamionët janë në pronësi të tij e janë me probleme në prokurori. “Faji është i gjithë imi ,e di që jam për burg” u shprehet ai gazetarëve “kamionët janë pa targa dhe drutë i shes nëpër fshatra”.
Gazetarët e Fiksit i drejtohen anës tjetër të malit, nga Lëpusha drejt Bjeshkëve të Jeshnicës dhe Morinës. Por lajmi ka marrë dhenë për prezencën e tyre në Aple dhe për t’i penguar shfrytëzuesit e pyllit u bllokojnë rrugën me një mjet fuoristradë. Nga idetifikimi që gazetarët i bëjnë targës rezulton se mjeti është në pronësi të një personi, i cili është i identifikuar nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura, si person që pret pyjet. Gazetarët presin deri sa rruga të hapet në momentin kur aty kalon një kamion me bar. Gazetarët pas hapjes së rrugës vazhdojnë rrugën ku në të gjithë shpatin hasin prerje masive të pyllit. Në majë të bjeshkëve mes Morinës dhe Jeshnicës gazetarët gjejnë një kamion të parkuar dhe pa targa. Pak metra me tej një fadromë pa targa hap rrugët e pyllit dhe gjithë sipërfaqja përreth saj është e prerë.
Nga pamjet e sjella nga Fiksi edhe me dron, “mushkëritë” e vetme shqiptare janë drejt shfarosjes.
Top Channel