Liz Truss apo Risi Sunak? Britania mëson sot kryeministrin e ri

05/09/2022 12:29

Këto janë orët e fundit të pritjes për britanikët, pas një gare rraskapitëse verore se kush do të pasojë Boris Johnons në postin e kryeministrit të ri të Britanisë së Madhe. 

Loja luhet mes sekretares së Jashtme, Liz Truss dhe  ish-shefi të Thesarit, Rishi Sunak.

Por kushdo që do të zgjidhet do të trashëgojë një ekonomi që potencialisht po shkon drejt një recesioni të gjatë dhe do të duhet që menjëherë të ndërmarrë masa për të zbutur krizën e kostos së jetesës.

Për shkak të rritjes së çmimit global të gazit, që është shkaktuar pas pushtimit rus të Ukrainës, faturat e energjisë u rritën trefish më shumë sesa vitin e kaluar.

Inflacioni ka arritur në mbi 10 për qind, për herë të parë që nga vitet ‘80.

Truss, që gjerësisht shihet si favorite për postin e kryeministres, ka fituar mbështetjen e shumë prej konservatorëve me politikën e saj që shteti të ndërhyjë dhe të shkurtojë taksat.

Ajo ka premtuar se do të veprojë “menjëherë” për të luftuar rritjen e çmimeve të energjisë.

Ndërsa Sunak, i cili e ka portretizuar veten si një ekonomist më realist, ka thënë se ai do të ndërpriste përkohësisht Tatimin mbi Vlerën e Shtuar mbi faturat e energjisë.

Ai ka insistuar se nuk do të zhyste shtetin në borxhe dhe se shkurtimet e tjera tatimore do të duhej të bëheshin pasi inflacioni të vihej nën kontroll.

Përderisa ekonomia do të jetë çështja kryesore në muajt e parë të mandatit të kryeministrit të ri, pasardhësi i Johnson do të duhet të merret edhe me pozitën e Mbretërisë së Bashkuar në skenën ndërkombëtare, në dritë të pushtimit rus të Ukrainës, rritjes së prezencës së Kinës dhe tensioneve që po vazhdojnë me Bashkimin Evropian lidhur me periudhën post-Brexit.

Boris Johnson dha dorëheqje më 7 korrik, pasi Qeveria e tij u përball me skandale etike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA