Letra e Scholz dhe Macron për reciprocitetin/ Bislimi: Për ne, vendim i madh është marrëveshja finale me njohjen reciproke

05/09/2022 16:58

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, ka komentuar letrën e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron dërguar kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë një konference për media, ai tha se letra e Scholz dhe Macron, e cila iu dërgua edhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, tregon se në këtë periudhë kohore duhet të merren vendime të mëdha, që nënkupton arritjen e marrëveshjes finale me njohje reciproke në qendër.

“Është shumë më rëndësi që dritarja e ofruar në dy vitet e ardhshme ku nuk ka interesa politike, qoftë në Kosovë, Serbi por edhe në vende tjera, duhet të shfrytëzohet në maksimum në mënyrë që të arrijmë një zgjidhje finale. Si Kurti dhe Vuçiç janë zgjedhur si liderë të pakontestueshëm të vendeve të tyre dhe Scholz dhe Macron shkon në këtë drejtim që tregon se është mirë që në këtë periudhë të merren vendime të mëdha. Për neve vendimi i madh është përfundimi i marrëveshjes finale me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.

Bislimi ka folur edhe për gjendjen në Luginën e Preshevës dhe problemet e sfidat e shumta me të cilat po përballet popullata shqiptare. Ai ka fajësuar Beogradin për shpopullim të rajonit duke thënë se ka ardhur momenti për t’i treguar Evropës fytyrën e vërtetë të Serbisë.

“Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia ka arritur që me politikën e saj ta shpopullojë këtë regjion, por mendoj që tani ka ardhur momenti ku mund t’i tregojmë gjithë Evropës se si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë, meqë mendojmë se nuk ka asnjë regjion në Evropë ku popullata ende në vitin 2022 lufton për tekste mësimore, për të drejta bazike, lufton për përfaqësim, qoftë minimal nëpër institucionet shtetërorë”, tha ai.

Ai ka shtuar se mund të ketë ndasi politike, por sipas tij nuk guxojnë liderët e Preshevës t’ia lejojnë vetes luksin e ndasive.

“Do të ishte gabim i madh në qoftë se Lugina me kaq pak banor sa ka, e ka luksin edhe të krijojë ndasi politike. Mund të ketë ndasi politike apo jo kompromis për tema të caktuara që avancojnë jetën e qytetareve, por në rrafshin nacional, nuk guxojnë liderët e Preshevës t’ia lejojnë vetes luksin e ndasive. Për momentin ka dy narrativa, është narrativa e Qeverisë së Kosovës, e cila synon avancimin e të drejtave të Luginës dhe narrativa e presidentit Vuçiç, i cili vazhdon me shtypjen e Luginës. Secili prej liderëve mund të pozicionohet vetëm në njërën prej këtyre dy narrativeve. Do të ishte shumë gabim që në emër të çfarëdo argumentimi të pozicionohemi në anën e gabuar”, tha ai.

Bislimi tha se në dialogun në Bruksel temë me rëndësi do të jetë edhe garantimi i simetrisë dhe barazisë në të drejtat mes qytetarëve shqiptarë në Luginë dhe atyre serbë në Kosovë. Ai tha se diskriminimi që po u bëhet shqiptarëve të Luginës nuk ndodh në asnjë vend në Evropë.

“Është e tmerrshme të kuptojmë që në asnjë prej ambulantëve në Bujanoc, lidershipi apo menaxhmenti nuk janë shqiptarë. Në shumicën shkollave nuk janë shqiptar, nuk ka madje fare gjykata në Preshevë dhe Bujanovc, sepse këto janë zhvendosur në Vranjë, nuk ka në zinxhirin komandues të policisë shqiptar, as për së afërmi në raport me proporcionin në popullatë. Kjo shtrihet edhe te zjarrfikësit, i vetmi zjarrfikës shqiptar që ka qenë ka shkuar në pension dhe tani të gjithë zjarrfikësit janë serbë. Ky diskriminim është i paparë në Evropë dhe mendoj që do të ishte e papërgjegjshme sikur ne t’i mbyllim sytë para kësaj situate”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, tha se nxënësit e shkollave shqipe në Luginë vazhdojnë të ballafaqohen me sfida, teksa tha se presin bashkëpunime në fushën e arsimit.

“E kemi kuptuar përsëri me shqetësim që nxënësit e shkollave të mesme vazhdojnë të ballafaqohen me sfidat sa i përket mungesës së teksteve. Gjithsesi qëllimi ynë do të vazhdojë edhe më tutje. Presim që të kemi bashkëpunime në fushën e arsimit dhe jo vetëm, edhe në të ardhmen”, tha ajo.

Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, ka folur mbi projektin për sigurimin e librave për nxënësit e Luginës së Preshevës, për të cilat Qeveria e Kosovës kohë më parë ka ndarë 255 mijë euro. Ai tha se nga ky projekt përfitojnë rreth 5 mijë nxënës tekste shkollore falas.

“Do të përfitojnë rreth 4010 nxënës të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe prindërit e tyre, mbi 4 mijë familje do të lirohen nga barra e rendë socio-ekonomike, e sigurimit të teksteve shkollore. Ky është ndër projektet e mëdha që po implementojmë në Luginë të Preshevës… Besojmë që përmes reciprocitetit arrihet barazia, e përmes barazisë vendosen standardet unike të trajtimit të drejtave të pakicave kombëtare”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA