Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës tha se ka ekzekutuar pagat për muajin gusht për punëtorët që janë në grevë, duke shtuar se të njëjtëve duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.
Punonjësit e arsimit, administratës lokale dhe qendrore janë në grevë që nga 25 gushti me kërkesë për rritje pagash.
“Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për greva”, thuhet në njoftim.
Kjo ministri kishte njoftuar në fund të gushtit se pagat ishin ekzekutuar pjesërisht, vetëm për ato institucione që kishin dërguar listën e punëtorëve që nuk ishin në grevë.
“Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar”, u tha në njoftim.
Duke u thirrur në Ligjin për greva, Ministria e Financave tha se punëdhënësi i grevistëve duhet t’ua pezullojë kontratën e punës.
“Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit”, u tha në njoftim.
Grevistët kanë thënë se Qeveria nuk mund të ndalë rrogat e tyre për aq kohë sa ata janë në grevë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar javën e kaluar se nuk mund të paguhen personat që nuk punojnë.
Sindikatat që janë në grevë po kërkojnë nga 100 euro shtesë për punëtorë deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për paga, që së fundmi është hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërkaq, në fundjavë, Qeveria prezantoi një pako të ndihmës, ku u parapa ndihmë prej 50 eurosh për sektorin publik.
Sipas Projektligjit për pagat, pasi i njëjti të ketë kaluar në të gjitha procedurat, do të hyjë në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel