Erion Veliaj kërkon të marrë, për një mandat të tretë rresht, drejtimin e bashkisë së Tiranës.
Në intervistën dhënë këtë të hënë për “Top Story”, në nisje të sezonit të ri televiziv, Veliaj nuk përmendi asnjë person që e sheh si kundërshtar në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ngjarjet e papritura dhe të paparashikueshme, ai i sheh si të vetmit “kundërshtarë”.
“Këtë mandat kemi hapur 26 shkolla, tetë kopshte, hapëm kopshtin zoologjik, po punojmë për terminalet interurbane. Por, armiku më i madh ishin gjërat e papandehura. Tërmeti… as e kishim menduar, sa kisha fituar zgjedhjet, pothuajse gjithçka shkoi atje. Një pjesë e madhe e financave shkoi te strehimi dhe rindërtimi.
Tani, rivali më i madh do të ishte diçka e paparashikuar. Energjia, e kemi dëgjuar nga ministrja Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama që na pret periudhë e vështirë”.
Duke folur për projektet e realizuara dhe ato të mbetura pezull, kryetari i bashkisë pranon se ndërtimi i Teatrit Kombëtar ka dështuar dhe si arsye përmend shtrenjtimin e kostove.
“Dështoi gara e teatrit dhe disa të tjera. Dështoi sepse është rritur çmimi i çelikut, i betonit dhe i shumë produkteve të tjera”.
Nëse kam një frikë për të ardhmen është cila do të jetë beteja tjetër, shton Veliaj në “Top Story”, por “kjo është koha jonë, dita e shqiptarëve për të ecur para dhe për të bërë gjëra të mrekullueshme. Nuk duhet të humbasim kohë. Koha është gjëja më e paçmuar”.
Top Channel