Gazetarja Shireen Abu Akleh mund të jetë qëlluar pa dashje nga një ushtar izraelit

05/09/2022 18:20

Hetimet izraelite për vrasjen në maj të gazetares së Al Jazeera Shireen Abu Akleh arritën në përfundimin se ajo kishte të ngjarë të ishte qëlluar pa dashje nga një ushtar izraelit, por nuk ishte vënë qëllimisht në shënjestër, tha të hënën ushtria izraelite.

Shireen Abu Akleh, një shtetase amerikano-palestineze, u qëllua për vdekje më 11 maj ndërsa mbulonte një operacion ushtarak izraelit në qytetin e paqëndrueshëm të Jeninit në Bregun Perëndimor në rrethana që mbeten shumë të diskutueshme.

Ushtria izraelite thotë se trupat që kryenin operacione në Jenin ishin të rrethuar nga zjarri dhe kishin qëlluar kundër, duke përfshirë edhe zonën ku gazetarja Abu Akleh po qëndronte rreth 200 metra larg pozicionit të tyre, por se ata nuk ishin në gjendje ta identifikonin atë si një gazetare.

Ai tha se “ekziston një mundësi e madhe që zonja Abu Akleh të jetë goditur aksidentalisht nga një armë zjarri e forcave izraelite që u përdor drejt të dyshuarve të identifikuar si persona të armatosur palestinezë.” Ai tha se ishte gjithashtu e mundur që ajo të ishte goditur nga persona të armatosur palestinezë.

Si një nga fytyrat më të njohura që raportoi për konfliktin izraelito-palestinez për dy dekada, vdekja e gazetares Abu Akleh shkaktoi zemërim në mbarë botën, veçanërisht pasi policia goditi pjesëmarrësit në funeralin e saj në Jerusalem.

Dëshmitarë të tjerë të incidentit kanë kundërshtuar se pozicionet izraelite ishin nën zjarrin e armëve në zonën ku qëndronte gazetarja Abu Akleh kur ajo u vra.

“Të gjitha provat, faktet dhe hetimet që janë kryer vërtetuan se Izraeli ishte autori dhe se ai kishte vrarë Shireenin dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi për krimin e tij,” tha Nabil Abu Rudeineh, një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmud Abbas.

Hetimi izraelit, i cili përfshinte intervista me ushtarë të forcave izraelite IDF, analiza të skenës, si dhe regjistrime në audio dhe video, zbuloi se nuk ishte “e mundur të përcaktohej pa mëdyshje burimi i të shtënave” që vrau gazetaren Abu Akleh.

Por Izraeli ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ajo ishte shënjestruar me vetëdije nga forcat e tij dhe tha se hetimi tregoi se ushtarët kishin vepruar sipas rregullave të tyre të angazhimit.

“Mund të themi 100% me siguri se asnjë ushtar i IDF-së nuk ka hapur qëllimisht zjarr ndaj një gazetareje apo një personi jo të përfshirë në terren,” tha një zyrtar i lartë ushtarak që informoi gazetarët mbi gjetjet e hetimeve.

Një raport nga zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në qershor tha se gazetarja Abu Akleh kishte qëndruar me gazetarë të tjerë dhe ishte qartësisht e identifikueshme si gazetare nga helmeta e saj dhe xhaketa blu e shënuar me mbishkrimin ‘shtypi’ kur ajo u qëllua dhe u vra nga një plumb i vetëm. Nga një plumb tjetër është plagosur një koleg i saj.

Në raport thuhet se informacioni që ishte mbledhur sugjeronte se ajo ishte vrarë nga një ushtar izraelit.

Zyrtarët palestinezë dhe vetë familja e gazetares Abu Akleh kanë thënë se besojnë se ajo është vrarë qëllimisht dhe kanë hedhur poshtë deklaratat izraelite se kishte militantë pranë vendit ku ajo qëndronte.

Ekzaminimi mjeko-ligjor i plumbit që e vrau atë, i kryer nën mbikëqyrjen e SHBA-së në korrik, nuk arriti në ndonjë përfundim pasi plumbi ishte shumë i dëmtuar.

Një raport nga Departamenti amerikan i Shtetit në korrik arriti në përfundimin se ajo ndoshta u vra nga zjarri i armëve nga një pozicion izraelit, por se nuk kishte prova që sugjeronin se ajo ishte shënjestruar qëllimisht nga forcat izraelite./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA