Vrau me sëpatë një ukrainase, ​policia gjermane ekzekuton 23-vjeçarin nga Kosova

04/09/2022 18:55

Policia gjermane ka vrarë sot një 23-vjeçar kosovar pasi kishte mbytur me sëpatë një ukrainase 27-vjeçare në lagjen Friedrichsfelde të Lichtenberg Berlin, raporton Berliner Zeitung.

Rasti thuhet se ka ndodhur në një apartament në rrugën Löwenberger. Sipas mediave gjermane, rreth orës 07:40, fqinjët dëgjuan britmat e tmerrshme të një gruaje brenda pallatit dhe e thirrën policinë. Kur oficerët hynë në apartamentin e katit të nëntë, panë një pamje të tmerrshme.

“Atje, një burrë po godiste një grua me sëpatë,” tha zëdhënësi i policisë Stefan Petersen-Schümann.

Më pas policia përdori armë zjarri duke vrarë burrin me sëpatë. As viktimës nuk ka mundur t’i ndihmohet, gruaja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes me plagët e rënda.

Sipas të dhënave fillestare, gruaja e vrarë është një ukrainase. Autori vjen nga Kosova. Të dy nuk ishin të martuar dhe nuk ishin të regjistruar në apartamentin me një dhomë, thanë zyrtarët policorë.

Policia fillimisht nuk ka mundur të thotë se çfarë raporti ka autori me viktimën.

Në ndërtesën e parafabrikuar me dy shkallë të viteve 1960 pranë Frankfurter Allee ka gjithsej rreth 400 apartamente me një dhe dy dhoma. Qiratë janë të lira. Një qiramarrës raporton se zhurma shpesh mund të dëgjohet në ndërtesë.

Një i ri që banon në afërsi të banesës së krimit thotë se rreth orës 7 të mëngjesit ka dëgjuar britma të forta. Dikush, me sa duket njeriu që u qëllua më vonë, goditi me çekiç derën e banesës së tij. Dëshmitari thotë se si pasojë i është dëmtuar dera.

Fqinji raporton se nuk ka guxuar të hapë derën. Më vonë ai pa gjurmë të mëdha gjaku në derën e banesës së tij.

Policia gjermane nuk ka dhënë motivet e kësaj ngjarjeje të tmerrshme.

Top Channel