Kurti: Pres nga Bërnabiç të mos japë deklarata përçarëse

04/09/2022 13:24

Kryeministri Albin Kurti sërish ka folur për vizitën e nesërme të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç në veriun e Mitrovicës, Zveçan dhe Leposaviç, duke thënë se pret nga ajo që të mos vazhdojë deklarata përçarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin.

Kurti në një konferencë për media, tha se kërkesa për vizitën e Bërnabiç në veri të Kosovës, ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës ka bërë kërkesë për vizitën e Besnik Bislimit në Luginën e Preshevës.

Kurti: Pres që Bërnabiç të mos japë deklarata ndarëse

“Shpresojë që edhe vizitat e zyrtarëve pas qarkullimit të lirë të qytetarëve do t’i kontribuojnë lëvizjes së lirë në përgjithësi, po ashtu pres që zonja Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishte për qëllim tensionimin dhe destabilizimin, kemi nevojë të përqendrohemi tek jeta më e mirë e qytetarëve”, tha Kurti.

Ai shtoi se Qeveria për këto më pak se një vit e gjysmë, ka bërë më shumë se sa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave të komitetit pakicë.

Kurti: Punësimi i pakicave është bërë me librezë partiake, ne këtë e luftojmë

“Po këtu e kemi një vështirësi sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike jo sipas përkatësisë nacionale, pra partitë politike edhe te komitetet joshumicë i kanë përpiluar listat e atyre që janë punësuar në institucionet publike. Ne këtë e luftojmë tek të gjithë qytetarët dhe kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën vetëm tek shumica shqiptare, ka ndodhur edhe te pakica serbe, ka ndodhur edhe te pakicat e tjera, pra punësimi edhe i serbëve në institucionet publike ka shkuar me librezë politike dhe ne i kemi vështirësitë e ndryshimit të kësaj sepse nuk është lehtë një avaz njëzet vjeçar të ndryshojë më pak se sa një vit e gjysmë”, tha ai, duke shtuar se Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Ministria e Inovacionit po përpiqen që të mos e përjashtojë askënd sa i përket punësimit pas shkollimit por natyrisht duke respektuar kushtetutën ligjet e vendit tonë.

Top Channel