Sipas kompanisë shkaku është një avari në një turbinë. Autoritetet gjermane thonë se depot janë të mbushura, por tani duhet të kursejmë më shumë energji.
Për momentin, kompania ruse energjetike Gazprom nuk do të rifillojë dërgesat e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1, të cilin e kishte ndërprerë për shkaqe “mirëmbajtjes”. Kompania tha se ka zbuluar një defekt në një turbinë në stacionin e pompimit Portovaya. Kompania gjithashtu nuk dha një datë se kur mund të rifillonin dërgesat e gazit.
Qysh të mërkurën Gazprom e kishte ndërprerë për tre ditë furnizimin me gaz me pretekstin se duheshin bërë riparime në turbinë. Për qeverinë gjermane këto arsyetime janë vetëm pretekste të motivuara politikisht.
“Furnizimi me energji është i garantuar”
Autoritetet përgjegjëse në Gjermani thanë se kanë qenë të përgatitura për këtë skenar. “Ne nuk po e komentojmë këtë lajm, por në javët e kaluara kemi parë se Rusia nuk është më e besueshme dhe, në përputhje me rrethanat, kemi vijuar masat për të forcuar pavarësinë nga energjia ruse. Kësisoj jemi tani shumë më të përgatitur se disa muaj më parë.”
Depot e gazit janë të mbushura 84.3 për qind, u bë e ditur nga ministria. Synimi i ministrisë për të arritur në tetor një sasi gazi prej 85 për qind pritet të arrihet qysh në ditët e para të shtatorit. “Ne po e monitorojmë situatën nga afër në bashkëpunim të ngushtë me operatorët dhe Agjencinë Gjermane të Rrjetit Energjetik. Situata në tregun e gazit është e tensionuar, por siguria e furnizimit është e garantuar”, bëri të ditur Ministria Gjermane e Energjetikës. Edhe furnizimi me gaz nëpërmjet rrugëve të tjera, përveç linjave ruse, si edhe krijimi i kapaciteteve për gazin e lëngshëm, po ecën mirë.
Si pasojë e luftë së Ukrainës, Gjermania ka arritur të sigurojë rrugë të tjera për t’u furnizuar me gaz natyror. Sasinë më të madhe të gazit Gjermania tani e merr nga Norvegjia, Holanda dhe Belgjika. Sipas Agjencisë Gjermane të Rrjetit Energjetik, nga këto vende vetëm të enjten mbërritën në Gjermani rreth 2,900 gigavat orë gaz natyror. Sa për krahasim: Të hënën, ditën e fundit përpara uljes së paralajmëruar të furnizimit, Nord Stream 1 transportoi rreth 348 gigavat orë gaz natyror rus.
“Tani varet nga ne”
Si pasojë e njoftimit të Rusisë për ndërprerjen e furnizimit, shefi i Agjencisë Gjermane të Rrjetit Energjetik, Klaus Müller, tha se tani po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme terminalet me gaz të lëngshëm, por edhe nevoja për të kursyer energji. Është mirë që Gjermania tani është më e përgatitur, por tani “varet nga ne të gjithë”, shkroi Müller në një postim në Twitter.
Më 1 shtator, në Gjermani hyri në fuqi rregullorja e re kursimit të energjisë. Ajo parashikon ndër të tjera që dyqanet dhe ndërtesat publike t’i mbajnë dyert e mbyllura, të mos ketë më reklama me drita pas orës 22:00, të hiqen projektorët ndriçues nga monumentet dhe ndërtesat e tjera publike. Gjithashtu është paraparë ulja e temperaturës në vendet e punës dhe ndërtesat publike. Përjashtime bëjnë spitalet, kopshtet, shkollat ose institucione të tjera. Në sektorin privat gjithashtu nuk lejohet më nxehja e pishinave private./ DW
Top Channel