Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku deklaron se po i ofrohen të gjitha shërbimet sociale të miturës së dhunuar seksualisht në Kosovë.
Për 11-vjeçaren dhe të miturit të cilët janë në mesin e pesë personave që dyshohet se abuzuan me vajzën për shtatë orë, ai shton se është ngritur ekipi punës për të ofruar përkrahjen.
Mujku thotë se vetëm gjatë vitit të kaluar kanë qenë 10 raste të dhunimeve seksuale në kryeqytet, ndërsa njofton se ky vit shënon edhe rritje prej 22 për qind të rasteve të dhunës në familje.
Në intervistën për KosovaPress, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë tregon se janë në përkrahje të miturës 11 vjeçare, e cila një javë më parë u dhunua seksualisht.
“Ne si Qendër për Punë Sociale kemi reaguar prej minutës së parë, kemi qenë në përkrahje të viktimës, kemi caktuar një menaxher të rastit. Kemi themeluar edhe një ekip punues dhe jemi duke i ofruar të gjitha shërbimet e mundshme për vajzën në fjalë dhe jo vetëm për të, por edhe për familjen dhe për rrethin dhe të gjithë ata që janë të involvuar në rast, sepse ne si Qendër për Punë Sociale përveç se ofrojmë shërbime për viktimën, ne duhet të merremi edhe me të miturit e tjerë të cilët kanë qenë pjesë e këtij dhunimi”.
Ky nuk është rasti i vetëm në kryeqytet i dhunimit seksual. Mujku tregon se vetëm gjatë vitit të kaluar kanë qenë 10 raste të tilla.
“Dhunimi seksual është një prej formave më të rënda të punës që po merremi. Me theks të veçantë nëse flasim për të miturit dhe të miturat. Sepse, dhuna seksuale sot nuk po ndodh vetëm në mes gjinive të ndryshme, por edhe mes gjinive të njëjta. Po ndodh në rrugë, në lokale, motele, po ndodhë rreth shkollave, në familje në formë të incestit… Gjatë vitit të kaluar ne kemi trajtuar 10 raste dhe për këtë vit ende raportet jemi duke i prodhuar, sepse këto raste mund të ndodhin brenda një muaji 2-3 raste, disa muaj nuk ke asnjë”.
Përveç dhunimeve seksuale, rritje kanë shënuar edhe rastet e dhunës në familje.
“Kemi një rritje prej 20 deri në 22 për qind të rasteve të dhunës në familje. Vlen të theksohet se gjatë vitit të kaluar ne si Prishtinë kemi trajtuar 229 raste të dhunës në familje, kurse gjatë këtij viti numri ka arritur në 160. Qysh në shtatë mujorin e parë dhe nëse vazhdohet me këtë trend atëherë deri në fundvit mund të kemi 280 apo 290 raste të dhunës në familje. Çfarë është një shqetësim tepër i madh për të gjithë neve”.
Qendra për Punë Sociale tash e disa muaj është duke pranuar kërkesa për pagesën e qirave të cilat nuk kanë strehë.
“Ne si Komunë e Prishtinës kemi filluar tash e saj muaj që të investojmë edhe në pagesën e qirave për rastet e dhunës në familje, të cilat nuk kanë strehë dhe i plotësojnë kriteret që i kemi paraparë, në mënyrë që asnjëherë më të mos themi që viktima detyrohet të rikthehet prapë te ushtruesi i dhunës. Dhe kjo po funksionon mirë, edhe pse numri i rasteve që kanë përfituar është ende në proces, por e kemi mundësinë dhe kemi të hapur që rastet e para vetëm të përfitojnë nga përkrahja të cilën ne do e japim”.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale thekson se është e nevojshme që të ketë numër më të madh të stafit, për shkak të numrit të madh të rasteve që trajtojnë.
11-vjeçarja nga Prishtina, dyshohet se një javë më parë është dhunuar seksualisht nga pesë persona, të cilët janë në paraburgim për 30 ditë.
Top Channel