Kompensim 50 euro për inflacionin/ Vendimi i qeverisë së Kosovës për të ndalur grevat, ministri sulmohet me miell

03/09/2022 19:06

Pas grevave dhe kallëzimeve penale nga punëtorët e sektorit publik, Qeveria e Kosovës ka reaguar për kërkesat e tyre.

Si pako të përballjes me inflacionin, Ministri i Financave njoftoi se punëtorët e këtij sektori do të marrin shtesat prej 50 eurove deri në fund të vitit.

Edhe pse do të përfitojnë 50 euro, kërkesë e punëtorëve të sektorit publik ishte shtesa prej 100 eurove deri në miratimin e Projektligjit të Pagave, që për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, është kërkesë e paarsyeshme.

Kështu, edhe krerët e sindikatave e quajtën këtë vendim të njëanshëm dhe nuk do e ndalin grevën.

Për këtë pako dhe gjuhën e përdorur të Qeverisë karshi punëtorëve Partia Social Demokrate zhvilloi një aksion, ku Ministrin e Financave, Hekuran Muratin e gjuajtën me miell.

Me pakon për përballje të inflacionit qeveria ka ndarë shtesa prej 100 eurosh për pensionistët studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, dyfishon asistencën sociale dhe subvencionon faturat e energjisë elektrike për ata që e kursejnë.

Top Channel