Një vajzë ndaloi makinën pranë sheshit “Univers” një ditë më parë në kryeqytet dhe pasi e la mjetin ndezur u largua për pak çastet.
Momentin e shfrytëzoi një 18-vjeçar që ndonëse nuk kishte leje drejtimi, hipi në makinë dhe u largua, duke i vjedhur kështu mjetin 26-vjeçares me iniciale D.Sh.
Ngjarja ndodhi të premten në rrugën “Mikel Maruli” në Tiranë, ndërsa pas identifikimit të autorit, sot u bë arrestimi i tij.
Ndaj shtetasit me iniciale L.I. rëndojnë akuzat për “Vjedhje” dhe “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se te sheshi “Univers”, në rrugën “Mikel Maruli”, një person i paidentifikuar kishte vjedhur një automjet të cilin drejtuesja e tij, shtetasja D. Sh., 26 vjeçe, e kishte lënë të ndezur, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Square”, si rezultat i punës hetimore dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– L. I., 18 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ky shtetas, mesditën e djeshme, te sheshi “Univers”, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetases D. Sh. dhe më pas është larguar duke e drejtuar automjetin e vjedhur, pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel