Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se greva në sektorin e arsimit ka ardhur si rezultat i mungesë së dialogut me qeverinë Kurti, ndërsa ka quajtur edhe një herë legjitime kërkesat e grevistëve duke theksuar se ata nuk do të heqin dorë nga greva pavarësisht pakos prej 50 eurosh.
Këto komente i bëri pas takimit sot me presidenten Vjosa Osmani me të cilën ka biseduar mbi kërkesat e grevistëve në sektorin e arsimit.
“Ne lutëm presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj që të ndikojë që sot ose nesër të ulemi me përfaqësues të qeverisë, sepse siç i thamë edhe asaj (presidentes) kjo pakoja, le ta quajnë si të donë, 50 euro nuk është realizim i kërkesave tona. Ne kemi qenë të qartë. Qeveria mund të jep pako dhe ne i gëzohemi çdo ndihme që i jep kujto do qoftë në Republikën e Kosovës, por qeveria duhet të ulet me ne dhe të fillojmë realizimin e kërkesave tona, pra 100 euro çdo muaj derisa të bëhet ligji i pagave, të formohen grupet e përbashkëta qeveri-sindikatë dhe të punojmë ligjin e pagave bashkërisht”, ka thënë Jasharaj, sipas Kosovapress.
Ai tha se gjatë takimit nga presidentja Osmani ka marrë zotimin që do të ndryshohet kriteri për 15 vjet për skemat pensionale për punonjësit kontributdhënës që kanë punuar gjatë viteve ’90 në mënyrë që ata të mund ta arrijnë më lehtë pensionin e punës.
“Është moment i ri që shembullin e presidentes ta marrin edhe kryeministri dhe ministrat që sot ose nesër të ulemi që të bëjmë zgjidhje. Unë ia bëra me dije presidentes se në situatën në të cilën ndodhemi, edhe pas këtij takimi, fatkeqësisht që në situatën që jemi greva do të vazhdojë”, ka thënë ai.
Jasharaj u është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Albin Kurti se mësimdhënësit po nxjerrin analfabetë dhe se kërkesat e grevistëve janë të tepërta.
“Të bëhet një vlerësim i tillë të cilin nuk e ka bërë askush. Nëse prodhohen 67 për qind analfabetë duhet të mbyllen shkollat. Kjo shifër nuk është e saktë, nuk e di nga e kanë marrë. Por edhe nëse kemi një cilësi të tillë, SBASHK-u nuk është fajtor, sepse as nuk bën plan-programe, as nuk merr kuadro në shkollë”, ka thënë Jasharaj.
SBASHK-u ka nisur grevën më 25 gusht me kërkesën për ndarjen e pagave shtesë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e ligjit të pagave.
Kryeministri Kurti e ka quajtur të paarsyeshme grevën në arsim, duke kërkuar që mësimdhënësit t’i kthehen punës.
Top Channel