Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë Panairit të Verës të mbajtur në Beograd në kuadër të Open Balkan se vendet e Balkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë dhe jo të jenë armiq me njëri-tjetrin siç ka ndodhur prej shekujsh.
Ai theksoi se Ballkani i Hapur është shumë më tepër se sa ekonomi, tregti apo politikë, duke theksuar se në thelb është një projekt paqeje e bashkëjetese, duke e quajtur Ballkanin një lagje të vogël në mes të Evropës.
Kreu i qeverisë tha se kjo nismë është për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve apo tregtarëve, duke shkëmbyer produkte dhe zgjeruar prodhimin.
“Kemi humbur shumë kohë duke u përpjekur t’i tregojmë njëri tjetrit se kush është i pari, ndërkohë që një gjë e kemi mësuar të gjithë, që asnjë prej nesh nuk do të shkojë diku tjetër, të gjitha vendet tona janë këtu për të qëndruar edhe pas nesh, edhe shumë e shumë vite pas nesh dhe zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë, si të qëndrojmë këtu në këtë vend duke qenë të gjithë në të njëjtën lagje të Evropës, duke u përpjekur ta bëjmë më të gëzueshme, më të jetueshme apo paqësore, apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njëri-tjetrit, duke i vënë flakën njëri-tjetrit siç kemi bërë prej shumë vitesh e shekujsh. Edhe këtu në këtë panair të nivelit të lartë evropian, është e qartë që është më mirë kështu së bashku. Sot duke vizituar këtë panair ku përveç prodhuesve nga Serbia, Maqedonia e Veriut janë edhe nga shumë vende të tjera, me shumë famë për prodhimin e verës, u kemi dhënë mundësi që jo vetëm të shkëmbejnë produkte apo zgjeruar prodhimin, u kemi mundësuar që tregtarëve të verës një treg të përbashkët, të cilëve do t’u duhej një kohë e madhe, këtu janë 22 prodhues nga Shqipëria, ndërsa në Shqipëri çdo vit rritet me 10% sipërfaqja e vreshtave.
Synojmë ta zhvillojmë në mënyrë të përvitshme duke e spostuar nga njëri kryeqytet në tjetrin. Duhet ta çojmë para këtë nismë që nuk është vetëm e jona, por është e të gjithë njerëzve, u takon të gjithë atyre që transportojnë, ofrojnë shërbime, që zhvillojnë industrinë tonë, Ballkani i Hapur është shumë më tepër se sa ekonomi, tregti, edhe politikë, është një projekt paqeje, bashkëjetese kjo lagje e vogël në mes të Evropës të mos vuajë më shumë por të bëhet vizion i të ardhmes për rininë tonë”, tha Rama.
Prodhuesit e verërave në Ballkan u bënë bashkë për herë të parë gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit të Verërave të mbajtur në Beograd në kuadër të Open Balkan.
Në panair morën pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri malazez Dritan Abazoviç dhe kryeministri maqedonas Dimitar Kovačevski. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe ministrat e katër kabineteve.
Top Channel